TIRANE– Në një kohë kur fushata zgjedhore sapo ka nisur, Ministria e Arsimit dhe Sportit e drejtuar nga ministrja teknike e propozuar nga PD, Mirela Karabina u ka tërhequr vëmendjen drejtuesve dhe punonjëseve të këtij institucioni. MAS ka verifikuar rastet, ndërsa bën me dije se do ndëshkohen ata që angazhohen me fushatën duke shkelur ligjin.

Deklarata e MAS:
Në kushtet kur fushata zgjedhore ka filluar, sjellim në vëmendjen tuaj detyrimet ligjore dhe ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë të cilat kanë përcaktuar qartazi detyrimet ligjore të personave me funksione publike gjatë fushatës zgjedhore. Mbi bazën e informacioneve, Ministria e Arsimit dhe Sportit është duke bërë verifikimet
për të gjitha rastet e konstatuara ku drejtues të institucioneve arsimore apo punonjës të sistemit arsimor, janë raportuar të angazhuar në fushatë elektorale, në kundërshtim me përcaktimet ligjore, si më poshtë:

 Drejtore e Zyrës Arsimore Rajonale, Librazhd Bardha Qatja.
 Punonjësi i Zyrës Arsimore Kolonjë Ermal Zylfo, pasi ka mbështetur fushatën elektorale të kandidates për Zgjedhjet Parlamentare, e cila rezulton Drejtuese e Drejtorë Arsimore Rajonale, Erseke.
 Drejtuesi i Zyrës Arsimore Tepelenë  Shkëlqim Imera.
 Drejtuese e Zyrës Arsimore, Kuçovë  Eglantina Zeqo.

Përsa më sipër, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e kujtdo, që synon të kryejë veprime të tilla të kundërligjshme, në kundërshtim të hapur të akteve ligjore në fuqi, se ngjarje të tilla do të jenë objekt verifikimi dhe sipas rastit objekt penalizmi administrativ dhe juridiko-penal nga organet ligj zbatuese përkatëse. Ministria e Arsimit dhe Sportit do të intensifikojë monitorimin e të gjithë procesit mësimor, si dhe të gjithë informacionet dhe komunikimet e përcjella përmes medias se shkruar dhe asaj elektronike, për të mundësuar një përmbyllje të suksesshme të arsimit parauniversitar, transparencë dhe informacion mbi vlerësimet e Maturës Shtetërore, duke kërkuar nga të gjithë, zbatimin e përpiktë të përcaktimeve ligjore.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: