NGA AURORA GOLEMI

TIRANE-
Edhe pse zyrtarisht fushata elektorale nuk ka nisur, “de facto” partitë po e zhvillojnë atë me aktivitete dhe mesazhe politike.

Në brendësi të blloqeve të banimit apo në anë të rrugëve në kryeqytet janë hapur zyrat elektorale të partive politike që do garojnë me njëra-tjetrën në 18 qershor.

Nga një vëzhgim i “News24”, u vu re se zyrat elektorale dukeshin të përgjumura dhe me qepena të mbyllura. Ndoshta është herët që nëpër xhama, vetrata apo mure të ngjiten portretet e liderëve të forcave politike dhe kandidatëve për deputet, apo të valëviten flamujt me ngjyra.

Poster-mania siç duket, ashtu si fushatat e kaluara me gjasë do iu shpaloset vrullshëm shqiptarëve në ditët në vijim.

Hapësirat publike se ku duhet të vendosen materialet propagandistike gjatë fushatës elektorale janë të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, pikërisht në nenin 79.

Është e zakonshme që nëpër fushatat elektorale për zgjedhjet e përgjithshme apo ato vendore mania e partive politike është tejmbushja e hapësirave publike me materialet e tyre propagandistike si postera, banderola, flamuj, etj; të cilët shfaqen në çdo mur, rrugë edhe nëpër mjetet e transportit publik. Por ajo çka na ka treguar eksperienca me fushatat e kaluara, është se pasi mbyllen zgjedhjet subjektet politike i harrojnë përgjegjësitë ligjore për heqjen e tyre.

Shpesh herë vendosen në hapësira publike në kundravajtje me ligjin, heqja e tyre është përgjegjësi e subjekteve politike. Qytetarët shprehen se ky nen i Kodit Zgjedhor është shkelur jo pak nga subjektet politike ndër vite.

Por nga ajo që kemi mësuar, buxheti për këtë fushate zgjedhore do të orientohet në pjesën më të madhe tek takimet me elektoratin sesa tek shpenzimet tradicionale për postera, reklama dhe banderola. E ndoshta qytetet do jenë më pak të pushtuara nga flamujt, posterat dhe banderolat me ngjyrat dhe logot e partive.

Sakaq Avokati i Popullit, Totozani, iu kujton kryebashkiakëve zbatimin me korrektesë të detyrimeve për vendosjen e materialeve propagandistike gjatë procesit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare për të monitoruar vazhdimisht hapësirat publike. Totozani deklaron se në shumë raste, subjektet politike nuk janë informuar për hapësirat që iu janë caktuar, dhe kanë cenuar hapësirat e tjera publike.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: