NGA: ZONJA VJOLLCA
Përbërësit
1 qepë, 2-3 thelpinj hudhër
1 spec jeshil
1 spec i verdhë
1 spec i kuq
1 spec djegës
4 kokrra domate
1 lk fara kumin
Kripë, piper i zi
4 lgj vaj ulliri
4 kokrra vezë
1-2 qepë të njoma
½ tufë majdanoz
Përgatitja
Fillimisht presim qepën në kubikë, qërojmë hudhrat dhe i presim në feta, specat i pastrojmë nga farat dhe më pas i presim në kubikë. Nëse dëshirojmë mund të shtojmë dhe pak spec djegës të grirë hollë.

Domateve i bëjmë një prerje të vogël kryq në majë dhe i vendosim në ujë të vluar për 1 minutë, më pas i largojmë domatet, i heqim lëkurën, largojmë farat dhe lëngun dhe presim tulin në kubikë.
Vendosim vajin e ullirit në një tigan të thellë dhe fillimisht kaurdisim qepën derisa të zverdhet pak, shtojmë specat dhe i trazojmë së bashku me qepën për 5 minuta, mëpas shtojmë hudhrat dhe specin djegës dhe vazhdojmë kaurdisjen për gati 1 minutë. Në fund shtojmë domatet, 1 lugë kafeje fara kumin, kripë dhe piper të zi. I lemë domatet të ziejnë për 7-10 minuta derisa të gjithë përbërësit të marrin trajtën e një salce të trashë pa lëng. Ndërkohë me ndihmën e një luge bëjmë katër gropëza në tigan ku thyejmë nga një kokërr vezë në çdo vend të hapur. Vendosim kapakun që veza të mpikset shpejt dhe në momentin që shohim se e verdha e vezës zë një cipë të bardhë fikim zjarrin dhe e spërkasim me pak majdanoz dhe qepë të njoma të prera hollë.

(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb