TIRANE- Pas debateve një ditë më parë në Komisionin e Sigurisë, Byroja e Kuvendit ka përjashtuar me 10 ditë deputetin e Partisë Demokratike Flamur Noka nga punimet e Parlamentit. Mbledhja e djeshme e Komisionit ku diskutohej buxheti i Ministrisë së Brendshme u shoqërua me debate, dhe nuk munguan as fyerjet. Kreu i Komisionit, Spartak Braho i kërkoi Byrosë së Kuvendit të merrte masa ndaj deputetit Noka, duke u shprehur se ky i fundit fyeu atë dhe ministrin Tahiri.

Por pas këtij vendimi, ka reaguar vetë deputeti Flamur Noka, duke u shprehur se nuk tërhiqet aspak nga mënyra sesi ka vepruar. Ai ka shtuar se nëse do të ndodhej sërish në atë situatë, do të vepronte po njësoj.

“E theksoj edhe 100 herë po të ndodhë ajo situatë në atë Kuvend, edhe 100 herë të tjera unë atë gjë do të bëj. Unë jam deputet dhe jam votuar për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Unë nuk jam deputet eunuk siç u treguan dje ministrat e mazhorancës. Ministri i Brendshëm erdhi dje, aktroi, i injoroi, i përdhunoi dhe iku. Është e papranueshme një arrogancë e tillë. Dje ai ka shprehur neglizhencë të madhe për qytetarët e këtij vendi. Dje diskutohej buxheti për Ministrinë e Brendshme. Qytetarët po vriten si lepuj në fushatë gjuetie, aeroportet e drogës ia kanë kaluar për nga cilësia aeroportit të Rinasit; qytetarët ndihen më të pasigurtë çdo ditë e më shumë. qytetarët prisnin të dëgjonin se çfarë do të bëhet për të përmirësuar situatën, por ministri vepron si një karagjoz, si një kloun. Sa kohë të jem parlamentar, unë nuk do të pranoj kurrë këtë situatë. Nuk ndëshkohet ministri që u soll në atë mënyrë, apo kreu i Komisionit që nuk reagoi për këtë sjellje, por ndëshkohet ai që kundërshton këtë arrogancë dhe fyerje ndaj shqiptarëve”, tha Noka.

SPAHO: VEPRIM I TURPSHËM I MAXHORANCËS PS-LSI, POR NUK NA TREMBIN
Ndërsa deputeti demokrat dhe nënkryetari i Kuvendit, Edmond Spaho e ka quajtur një veprim të turpshëm, përjashtimin e Nokës për 10 ditë nga Kuvendi, duke thënë se ky po kthehet në një rutinë për maxhorancën. Spaho tha se opozita nuk është për dekor dhe do të vazhdojë ounën e saj.

“Po kthehet në rutinë veprimi i maxhorancës. Edhe sot mendoj se patëm një veprim të turpshëm nga ana e maxhorancës, nga të dy krahët si PS-ja ashtu edhe LSI-ja, ku legjitimuan veprime tërësisht arrogante të ministrit të rendit por edhe kryetarit të komisionit.
Ministri në vazhdën e qëndrimeve arrogante të kryeministrit, vjen thotë 5 minuta ato që do dhe ikën pa përfillur opozitën, pa bërë analizën e buxhetit. Për më tepër kryetari i komisioni miraton veprimin e tij, pasi thotë se keni 3 vjet që po i nxini jetën.
As mos e vini dyshim. Byroja me të gjitha votat e maxhorancës e përjashtoi zotin Noka për 10 ditë, ndërkohë që këtë masë duhet ta kishte marrë për ministrin dhe kryetarin e komisionit. Çfarë duhet të bëjë opozita? Opozita nuk është për dekor dhe vetëm të miratojë ‘sukseset’ e ministrit. Kur droga është mbjellë nga veriu në jug dhe kur administrata e policisë është kapur nga elementë kriminalë. Megjithatë veprime të tilla nuk do kenë asnjë efekt mbi ne, pasi ne do vijojmë punën tonë.
Me të gjitha format dhe mjetet demokratike do vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë që na kërkohet si opozitë në të gjitha funksionet e parlamentit”, deklaroi Spaho.

(el.sp/m.k.BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: