TIRANE– Komiteti i Menaxhimit të Emergjencave është mbledhur paraditen e sotme për të diskutuar mbi situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit. Pasi është bërë një bilanc paraprak për sipërfaqet e përmbytura, banesat e prekura, si dhe infrastrukturën e dëmtuar, kryeministri Rama tha se tashmë do të kalohet me fazën e kapërcimit të pasojave.
Ai tha se do të vijohet puna për kanalet kulluese, mbjelljen e pemëve, si dhe do të ndërhyhet në të gjitha pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes nga uji.
“Në këtë ditë dua të uroj 105-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura. Duke i falënderuar me shumë mirënjohje të gjithë ushtarakët, vajzat e djemtë, gratë e burrat të angazhuar në këto ditë dhe netë tejet të vështira, dhe duke falënderuar gjithë të tjerët që po ashtu që i dhanë një pamje kuptimplotë reagimit të shtetit në këtë situatë, dua të nënvizoj se tani është momenti për të çuar përpara fazën e dytë, atë të kapërcimit të pasojave në radhë të parë për familjet e prekura, dhe sigurisht edhe për atë pjesë të infrastrukturës, që janë jetike për lëvizshmërinë dhe garantimin e jetës normale në komunitetet e zonave të përmbytura.
Patjetër që do të na duhet më tej që të ecim me zbatimin e planit që ka nisur prej disa muajsh nga ministri i Bujqësisë për të ndërhyrë në të gjitha pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes nga uji, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës. Fakti i shembjes së një numri të konsiderueshëm urash flet qartë për potencialin katastrofik që kishte kjo situatë, nëse shumë investime mbrojtëse nuk do ishin bërë në këto 2 vite.
E kemi parë se në çdo zonë ka ende një sërë pikash të dobëta ku duhet ndërhyrë me përparësi”, u shpreh kryeministri Rama.
(BalkanWeb)