Përplasjet e vazhdueshme për menaxhimin e Universitetit të Tiranës janë maja e ajsbergut të një konflikti të vjetër midis rektoratit dhe bordit të administrimit. Në thelb qëndron “lufta për kompetencat e universitetit” duke bërë që të krijohen dy palë me qëndrime katërçipërisht të kundërta.

Nga njëra anë është bordi i administrimit të UT-së, që kohët e fundit po “merret në mbrojtje” nga dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, dhe në anën tjetër të medaljes është rektori Mynyr Koni, i cili ka marrë në dorë frerët e universitetit prej më shumë se një viti.

PËRPLASJA PËR KOMPETENCAT
Përçarja midis pjesës akademike dhe asaj administrative në universitetin më të madh është thelluar më tej. Pas konfliktit me ministren e arsimit për zëvendësimin e anëtarëve të bordit të administrimit, kreu i fakultetit Ekonomik, bën përgjegjës rektorin Koni, duke thënë se veprimi ka ardhur me kërkesë të tij. E, për mosmarrëveshje për tendera, ka pezulluar edhe kancelarin, Robert Skënderi.

“Rektori pengon administratorin të bëjë veprime me protokollin, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë. Bën shkresat që ka kompetencë kancelari apo administratori dhe nuk i protokollohen. Madje, ka nxjerrë një urdhër abuziv që të mos pranohen shkresat e kancelarit.”

Të kundërtën pretendon rektori Mynyr Koni, i cili thotë se ka vënë re shkelje të rënda, mosrealizimin e detyrave e deri në bllokim institucional nga kancelari. Veç të tjerash, sipas rektoratit, kancelari ka kundërshtuar dhe penguar kryerjen e auditit të brendshëm në institucion. Të gjitha këto akuza janë depozituar në prokurori.

“NGA MIK, ARMIK”
I pamundësuar nga rregullorja e re për zgjedhjen e rektorëve për të kandiduar për të tretën herë, ish-rektori Dhori Kule ishte ai që i propozoi ish-dekanit të fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynyr Koni, të kandidonte për postin që ai e kishte mbajtur për tetë vite me radhë. E dëshmuar edhe me shoqërimin e vazhdueshëm të tyre, madje edhe në momentin e kërcënimit nga Emiljano Shullazi, ish-rektori që do të bëhej dekan i Ekonomikut, ishte mbështetja më e madhe e Konit në zgjedhjet e prillit.

Për hir të së vërtetës, edhe votëbesimin më të madh e pati në fakultetin në fjalë, në të cilin nuk shkeli asnjëherë. Nuk kaluan shumë muaj, deri në krisjen e parë midis dy miqve. Shkak për këtë u bë udhëzimi për pranimet e një viti më parë, të pranuara nga ana e Konit, pa asnjë konsultim me dekanët. Kjo u pasua me një marrëdhënie të ftohtë për disa muaj deri në shkurtin e 2017-ës, kur bordi i administrimit, i drejtuar ng zv.dekani i Fakultetit Ekonomik, (gjithashtu kontribuues i madh në fitoren e Konit) i pezullon pagën pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, me arsyetimin e mosdorëzimit të një raporti mjekësor. Çudia ndodhi me kthimin e Konit në rektorat, me pretendimin e prezencës së tij gjatë kohës që presupozohet të ketë qenë nën kujdes mjekësor.

Kjo shtoi dyshimin e Bordit për firmosje tenderash, duke kërkuar edhe audit. Këtë gjë e shprehu edhe vetë Kule në daljen publike të një dite më parë. “Çdo ndërhyrje apo kompetencë e çdo organi një autoriteti tjetër nuk është shpërdorim detyre, por vepër penale, sidomos kur krijon pasoja. Koni kërkon të sillet me ligjin e vjetër, ndërkohë që i riu ka 2 vjet që është miratuar. Duke vepruar me këtë ligj janë bërë shkelje shumë të rënda, janë firmosur tendera.”/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb