NGA DORJANA BEZAT
TIRANË- Hetimet në lidhje me përplasjet mes bandave të Elton Çiços dhe Jani Aliajt kanë hedhur dritë edhe mbi një vrasje tjetër të ndodhur në Tiranë në mars të vitit 2016. Bëhet fjalë për vrasjen e ish-efektivit të policisë Ajet Zeqaj, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz më 16 mars 2016.

Kur ndodhi ekzekutimi, 35- vjeçari Ajet Zeqaj sapo ishte kthyer nga Franca ku jetonte prej vitit 2007, pasi la detyrën në polici. Ai u ekzekutua fare pranë banesës në zonën e Bllokut.

Atentatori e priti për disa minuta 35-vjeçarin dhe në momentin që ai doli nga një salle lojërash fati e qëlloi 6 herë me pistoletë. Ndonëse në vendngjarje kishte kamera, për policinë ishte i pamundur identifikimi i autorit edhe për shkak të mënyrës mafioze të ekzekutimit.

Pas hetimeve për rastin, dhe ngjarjeve të tjera të ndodhura muaj më vonë, hetuesit dyshojnë se edhe eliminimi i Zeqajt është pjesë e zinxhirit të ngjarjeve kriminale mes dy bandave Çiço-Aliaj. Policia zbuloi se 35 vjeçari Zeqaj kishte miqësi me Elton Çiçon i cili u vra më 1 maj të këtij viti në në lokal po në Bllok. Sipas hetuesve, lidhja mes dy viktimave ka qenë trafiku i narkotikëve brenda dhe jashtë vendit dhe prishja e pazareve mund të jetë bërë shkak për eliminimin e kundërshtarëve.

Nisur nga pamjet e kamerave të sigurisë si edhe provave të tjera që zotërojnë hetuesit, po punohet për identifikimin e autorit të vrasjes së Zeqajt. Paraprakisht dyshimet janë orientuar drejt një emri shumë të përfolur të ngjarjeve të ndodhura muajt e fundit në Shqipëri. Identifikimi i autorit të vrasjes se Zeqajt, ka gjasë të hedhë dritë mbi veprimtaritë e paligjshme të grupeve dhe motiveve që kanë shkaktuar kaq shumë atentate e vrasje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb