KORCË- Përplasjet me deklarata politike mes dy forcave të koalicionit qeverisës, PS-së dhe LSI-së që nisën me një deklaratë të ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dy ditë më parë, që akuzoi policinë për përfshirje në kultivimin e kanabisit i pasur edhe nga Vangjel Tavo, kanë sjellë reagime edhe nga kampi socialist.

Kështu numri dy i qeverisë, Niko Peleshi shprehet i habitur për deklaratat e fundit që vijnë nga radhët e LSI-së. Duke treguar se tashmë pritet kontributi i LSI-së për të çuar përpara vettingun dhe jo lojërat politike.

“Më kanë habitur disa deklarata. Të gjithë presin që qeveria të punojë. Kemi para reformën në drejtësi që është reforma e reformave. Vettingu kërkon kontribut dhe nuk të lë kohë të merresh me lojëra politike. Ne presim nga LSI që t’i japim vrull dhe impulsin e duhur reformave. Të mos humbasë puna jonë. Kemi detyra të mëdha dhe nuk ngelet kohë më për lojëra politike”,- tha Peleshi nga Korça.

Ndërsa i pyetur nëse koalicioni me LSI-së do vazhdojë, Peleshi u shpreh: “Kemi një ftesë të hapur për aleatin tonë në qeverisje. Kemi ende punë për të berë”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: