Nga ARTAN FUGA

Nuk po flas për elektoratin sepse ai është ndarë në segmente të ndryshme. Me pushtetin gjithmonë dyshohet nëse ata që votojnë për të nuk janë atje thjesht për interesa meskine personale. Me cilindo pushtet dhe kurdoherë. Nëpunës të trembur që e kanë marrë vendin e punës si qyqarë duke bërë militantin fals, shoqata që marrin fonde në mënyrë korruptive, ndonjë pronar universiteti që duke bërë tellallin mendon se do të masakrojë konkurrenten e vet me kamzhikun e ministrisë, lloj-lloj servilësh, nostalgjikë, inatçinj sikurse edhe një elektorat që beson sinqerisht se e majta është e majtë dhe e djathta është e djathtë.

Flas për aktorët politikë dhe mediatikë.
Këtu del politika si veprimtari që shpesh largohet nga sjellja racionale dhe modalitetet e arsyes dhe shfaqet si mosarsyeja e arsyes ose mosarsyeja e arsyes.

Më konkretisht që ta kuptojnë edhe disa që janë papagaj në tru.
Me Lulzim Bashën në çadrën e lirive politike (CLP) në fakt janë të gjithë politikanët veç disa anëtarëve të kabinetit, por askush ende nuk e artikulon dot përkrahjen ndaj tij. Por, kur diga të marri ujë, të gjithë do të jenë dakord me të.

Është konteksti që i bën aktorët politikë të jenë disi si vajza të ndrojtura dhe të mos thonë me zë të hapur dhe të plotë:”E dua baba!”

Sigurisht ata nuk duan Bashën sepse e kanë konkurrent politik, por e duan në këtë fazë sa kohë që ai po kërkon qeveri teknike.
Le t’i marrim aktorët politikë dhe mediatikë me radhë.

Partitë parlamentare ose jo parlamentare që nuk janë në koalicionin qeverisës, veç agrares dhe republikanes e ndonjë partie tjetër të dalë hapur, nuk kanë pikë interesi mos shohin me dashuri kërkesën e Bashës dhe protestuesve për qeveri teknike. Vetëm kështu ata mund të kenë një shans sado të vogël për të pasur më shumë hapësira në procedurat e fazës elektorale. Një parti në pushtet me qeverisjen e vet militante pas i mbyt thjesht me pështyma panelistash ato. Por hëpërhë këto parti nuk dalin aq hapur sepse gjoja bëjnë sikur ruajnë identitetin e tyre politik, nuk duan të futen në çadrën e pd, a thua se kërkesa për qeveri teknike i intereson thjesht partive opozitare dhe partisë demokratike ekskluzivisht.

Libra sigurisht që e do qeverinë teknike, por ka frikë se mos e akuzojnë : “Hë mos vajte me Saliun!”. Hezitimet disavjeçare që e kanë anesteziuar veprimin e saj politik shfaqen edhe tani. Frika se mos humbasin virgjërinë politike i bën të ndruajtur kur në politikë çdo vonesë të gërryen.

LSI sigurisht, sigurisht, sigurisht, ka interes që në zgjedhje të shkohet me qeveri teknike. E para sepse atje do të ketë përfaqësuesit e vet. E dyta sepse do të barazohet në krahun e majtë me forcën e lidershipit që sot ka në dorë qeverisjen dhe e treta sepse mbron kështu segmentet e veta në administratë. Por, ende nuk shfaqet në veprimin e arsyeshëm që besoj e kalkulon shumë mirë sepse sigurisht nuk dëshiron që ta akuzojnë se po bën “martesë të dytë me martesën e parë”. Sigurisht në politikë këto janë forma presioni moral që bëhen për të ndaluar veprimin e logjikshëm politik.

Madje edhe partitë e tjera në koalicion të pakënaqura se nuk kanë marrë llokmat e tyre sipas pretendimeve sigurisht shohin te Lulzim Basha një goditës të portës të kështjellës, e hapur, por ku nuk hyn njeri, që sapo të hapet të vërshojnë drejt saj. Vëllain a motrën e madhe që ka ne dorë dhe qeverinë askush nuk e do paternaliste mbi qafë.

Dhe mediat pasi kanë marrë ata që mund të merrnin duan të jenë të lira në këtë fushatë elektorale nga presionet e qeverisë për të parë me duar të lira se çfarë do të dali nga zgjedhjet për të ribërë krushqitë e tyre.

Madje edhe brenda grupit të partisë në pushtet, segmentet dhe korrentet që kanë qenë të mënjanuara me siguri mendojnë se Lulzim Basha duke sulmuar djathtas u jep atyre mundësi të rivendikojnë majtas pushtet dhe vende në parlamentin e ardhshëm duke pasur frikë nga moskandidimi. Por, edhe këta rrinë pasivë, nuk shprehen sepse do të etiketohen si tradhtarë dhe do të shpallen grupe armiqësore. Ende është shpejt të shfaqen.

Me një fjalë sipas llogarive të mia, me Lulzim Bashën janë të gjithë këta aktorë, sigurisht gjatë kësaj faze të parë, për kërkesën për qeverinë teknike, sepse të gjithë këta e para negociojnë me kryetarin e qeverisë aktuale hesape sa më të shtrenjta për pushtet, hyjnë në zgjedhje lirshëm dhe më të barabartë, dhe i shpëtojnë presioneve të motrës a vëllait të madh për të bërë rimartesat e reja pas zgjedhjeve. E natyrshme.

Por, në këtë mënyrë, veprimi i sotëm politik është arsyeja e mosarsyes, realiteti nuk është i vërtetë, ajo që nuk ndodh ende është e vërtetë. Sepse aktorët politikë dhe mediatikë bëjnë dhe deklarojnë atë që nuk e duan, dhe duan atë që nuk e deklarojnë.

Sigurisht ky paradoks nuk mund të vazhdojë gjatë.
Madje edhe disa partizanë të qeverisë brenda opozitës nuk flasin, por janë për qeveri teknike sepse sa më parë të mbarojë kjo punë, mendojnë ata, aq më pak do të jenë të detyruar të bëjnë lojë të dyfishtë, e cila mund t’i diskreditojë për t’u humbur shanset e një karriere politike pas zgjedhjeve.

Madje unë ndruaj edhe më shumë…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: