Edhe nëse jeni vigjilente në kryerjen e kontrolleve të herëpashershme të gjirit, lëkurës, kanceri i fshikëzës së urinës me siguri nuk është fare në mendjen tuaj. Për më tepër që ky kancer prek më shumë moshat mbi 65 vjeç, dhe është më i përhapur tek meshkujt sesa tek femrat. Megjithatë, këto statistika nuk duhet të jenë shkak që ju t’i injoroni simptomat e kësaj sëmundje, shkruan “shëndeti”.

“Shumë njerëz mendojnë gabimisht se kanceri i fshikëzës së urinës është vetëm një sëmundje për burrat e moshuar”, thotë Arjun Balar, onkolog tek Qendra Mjekësore NYU Langone. “Por janë më shumë se 18 mijë femra që diagnostikohen me kancer çdo vit në SHBA”.

Dhe meqë gratë kanë tendencën më shumë që t’i injorojnë shenjat e para të këtij lloji kanceri, Rrjeti i Mbrojtjes kundër Kancerit të Fshikëzës raporton se gjinia femërore ka më shumë gjasa që të diagnostikohet me këtë sëmundje në faza më të avancuara.

Duke ditur simptomat ju ndihmon të diagnostikoheni më shpejtë dhe shanset për mbijetesë janë më të larta. Ja cilat janë disa nga shenjat paralajmëruese që nuk duhet t’i injoroni:

Gjak në urinë
Gjaku në urinë është ndër simptomat e para të kancerit të fshikëzës. Shumë gra e injorojnë këtë simptomë duke qenë se e lidhin me ciklin menstrual ose menopauzën. Gjaku në urinë nuk do të thotë medoemos se keni kancer të fshikëzës, megjithatë është e rëndësishme që të konsultoheni me mjekun.

Simptoma të ngjashme me infeksionet urinare
Kanceri i fshikëzës mund të ngatërrohet shpesh me infeksionet e traktit urinar, duke qenë se shumë simptoma janë të ngjashme. Pacientët mund të përjetojnë nevojë të shpeshtë për të urinuar, dhimbje gjatë urinimit, urinim me ndërprerje dhe pamundësi shkarkimi të plotë të fshikëzës, si dhe mosmbajtje të urinës. Nëse vëreni një nga këto probleme në lidhje me urinimin – ndieni sikur duhet të urinoni, nga ana tjetër nuk mund të urinoni, ose e keni të vështirë të boshatisni plotësisht fshikëzën – sidomos edhe nëse antibiotikët nuk kanë funksionuar – duhet të flisni me mjekun.

Dhimbje të pashpjegueshme
Dhimbja zakonisht fillon të shfaqet në fazë më të avancuar të kancerit të fshikëzës. Pacientët mund të kenë dhimbje në pjesën abdominale ose pelvike. Ata mund të kenë gjithashtu dhimbje të kockave, në rastet kur kanceri fillon të përhapet edhe në pjesë të tjera të trupit. Nëse keni dhimbje në këto pjesë të trupit, konsultohuni me mjekun, sidomos nëse i keni edhe simptomat e ngjashme me infeksionet e traktit urinar.

Mungesë oreksi
Mungesa e oreksit është një simptomë e zakonshme e kancerit, dhe këtu nuk bën përjashtim as kanceri i fshikëzës. Nëse kanceri ka filluar të përhapet ose masa tumorale është rritur, mund të filloni të humbisni peshë ose të ndiheni të lodhur dhe të keni dobësi. Sigurisht, mund të keni mungesë oreksi për një mijë e një arsye, prandaj mos mendoni menjëherë më të keqen, por flisni me mjekun nëse është e vazhdueshme

Duhanpirja
Teknikisht duhanpirja nuk është simptomë, megjithatë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, rreth 50% e grave të diagnostikuara me kancer të fshikëzës janë përdoruese të duhanit. Pirja e duhanit është faktori më i madh rrezikues për kancerin e fshikëzës së urinës. Nëse vëreni një nga simptomat e përmendura më sipër, si dhe jeni përdorues të duhanit, duhet të vini në dijeni mjekun. Mjeku mund të përcaktojë nëse është një infeksion i vogël ose diçka më shumë serioze – dhe nëse është kanceri i fshikëzës, është më e lehtë të trajtohet nëse e zbuloni më herët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: