Në ndeshjen e ‘titullit’ të luajtur dje mes Kukësit dhe Skënderbeut nuk pati trazira vetëm në fushën e lojës, por edhe në tribuna.

Kjo solli që një tifozeje të klubit të Skënderbeut të binte të fikët, por falë ndërhyrjes së mjekëve të ambulancës që ndodhej në stadium, gjendja e saj u përmirësua.

Në një intervistë për “panorama sport”, tifozja korçare e quajtur Iris Rexha ka treguar versionin e saj përsa i përket ngjarjeve të ndodhura në “Zeqir Ymeri”. Ajo pohon se ka rënë pre e dhunës policore, gjë të cilën e fakton edhe me shenjat që i kanë mbetur në trup. Sipas Rezhdës, korçarët u provokuan nga tifozët vendës për minuta me radhë, por policia në vend që të qetësonte vendësit, u mor me miqtë, të cilët kërkonin llogari nga forcat e rendit.

“Tifozët e Kukësit kishin 15 minuta që më shanin, dhe në momentin që unë nuk durova më dhe iu kundërpërgjigja ofendimeve të tyre, u afrua një polic i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë duke më bërtitur: Mos provoko! Unë afrohem te polici dhe i them se nuk po bëj provokime, por është faji i tifozëve vendas. U sqarova se unë jam femër dhe nuk kam pse të zihem.

Ai largohet dhe më pas afrohen tifozët e Skënderbeut të pranishëm në stadium duke kundërshtuar policin që më bërtiti. Në atë moment, polici me të cilin debatova, më afrohet dhe më kap me forcë në krah duke më lënë shenja. Gjithashtu, ai më tërhoqi drejt kangjellave të rrethimit të fushës deri në momentin që policët e tjerë më morën dhe më vendosën në një anë.

Pas këtij momenti, unë pata një moment asfiksimi. Më bie të fikët dhe për rreth 5 minuta nuk mbaj mend asgjë se çfarë ka ndodhur me mua. Ja kjo është e vërteta e asaj që ndodhi me mua në stadiumin e Kukësit”, u shpreh Iris Rezhda, tifozja e Skënderbeut që u dhunua dje në stadiumin “Zeqir Ymeri”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb