NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

400 gr patate
30 gr niseshte misri
30 gr miell
30 gr peksimadhe
kripë, ½ lç piper
arrë moskat, rozmarinë
1 kokërr vezë
vaj për skuqje

Përgatitja

Qërojmë patatet, i presim në kubikë dhe i vendosim në ujë me kripë të ziejnë për 25 minuta. Pas këtij minutazhi i kullojmë patatet dhe i vendosim në një tas duke shtuar miellin, niseshten e misrit, peksimadhen, kripën, piperin, arrën moskat dhe rozmarinën. I trazojmë mirë duke i kthyer patatet në pure me një pirun. Më pas shtojmë një kokërr vezë dhe formojmë një brumë për petullat. E vendosim brumin mbi një letër pjekje të spërkatur me pak niseshte, e hapim pak brumin me shuplakën e dorës duke e spërkatur përsëri me niseshte, vendosim përsëri një letër pjekje dhe e hapim brumin me rolon në një trashësi 3 mm. Me ndihmën e një forme gote të vogël e bëjmë brumin rrathë rrathe të vegjël me diametër 3-4 cm. Vendosim në çdo rrathë dy sy me ndihmën e një pipi dhe me majën e një luge kafeje bëjmë një gojë. Ngrohim vajin dhe skuqim petullat me patate derisa të zverdhen. I largojmë më pas duke i vendosur në një letër kuzhine për të larguar yndyrën e tepërt dhe i servirim shoqëruar me pak djath.

(da.xha/Vila24/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb