Nga: ZONJA VJOLLCA
1 kg presh
1 tufë qepë të njoma
1 tufë majdanoz
150 gr djath të bardhë
3 kokrra vezë
½ gotë qumësht
Kripë, piper i zi
250 gr miell misri
250 gr miell gruri
Pluhur pjekës
1 gotë kos
1 gotë ujë të gazuar
7 lgj vaj ulliri
Fillimisht lajmë dhe pastrojmë mirë qepët, preshin dhe majdanozin. Qepët e njoma dhe preshin i presim në unaza mesatare jo shumë të holla ndërsa majdanozin e grijmë hollë.
Në një tigan të thellë hedhim 4-5 lugë vaj ulliri, shtojmë në të qepët dhe preshet së bashku dhe i kaurdisim mirë derisa të ulet niveli i tyre dhe në tigan të mos ketë fare lëng. I rregullojmë qepët dhe preshin me kripë dhe piper të zi, i trazojmë duke shtuar dhe majdanozin. E largojmë tiganin nga zjarri dhe pasi e lemë pak të ftohet shtojmë djathin e thërrmuar, qumështin dhe një kokërr vezë.
Në një tas tjetër trazojmë miellin e grurit me miellin e misrit, pluhurin pjekës dhe pak kripë. I përziejmë mirë dhe hapim një gropë në mes dhe aty shtojmë dy lugë vaj ulliri, 2 vezë dhe një gotë kos. Fillojmë ta trazojmë brumin duke shtuar ½ e gotës me ujë të gazuar, brumi duhet të bëhet kremoz të derdhet pa u shkëputur nga luga njësoj si brumi I petullave. Nëse brumi është pak më i trashë shtojmë dhe gjysmën tjetër të gotës me ujë të gazuar.
Lyejmë një tepsi me vaj ulliri dhe në të shtrojmë duke e niveluar ½ e brumit. Mbi këtë bazë vendosim preshët e kaurdisur dhe më pas hedhim pjesën tjetër të brumit. Në fund shtrojmë një shtresë me preshët dhe qepët e kaurdisura, e nivelojmë me duar dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 50 minuta.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)