SHKODER- Ngjarja e rëndë që tronditi sot Shkodrën ka mobilizuar policinë për identifikimin dhe kapjen e autorit të atentatit me armë zjarri, ku mbetën të plagosur 3 persona.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për ‘BalkanWeb’ se policia ka gjetur tashmë armën e krimit në Shirokë, ndërsa dyshohet se bëhet fjalë për një pistoletë, me të cilën mendohet se është qëlluar 6-8 herë. Personat e plagosur janë Doni Lisi, Enrik Prenushi si dhe Elona Çurku. Po ashtu, pas kërkimeve të policisë, në fshatin Zogaj, në kufi me Malin e Zi, është gjetur një makinë e braktisur tip ‘Daewoo’ me targa AA440 NC, që dyshohet se është e autorit. Po ashtu mendohet se autori mund të jenë larguar në drejtim të malit për të humbur gjurmët. Nga hetimet e deritanishme të policisë rezulton se pronari i mjetit është Arben Piolla, por nuk dihet nëse ka lidhje me ngjarjen në fjalë.

Sakaq, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë po ushtrojnë kontroll në zona të ndryshme për gjetjen e agresorëve.

Nga ajo çka mësohet është fakti se Enrik Prenushi ka mbetur i plagosur aksidentalisht, pasi objektiv ka qenë Lisi dhe vajza me të cilën ishte shoqëruar. Nga burime pranë spitalit të Shkodrës, Doni Lisi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi dyshohet se ka marrë plumba në pjesën e gjoksit. Sakaq, vajza, e cila ka marrë plagë në këmbë dhe kalimtari fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën për jetën.

Sipas të dhënave të para, mësohet se ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, tek ish-sheshi i 5 heronjve, ku ka pasur të shtëna me armë nga një makinë jeshile. Një person ka hapur zjarr, duke qëlluar nga makina në drejtim të një çifti. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një kalimtar i rastit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb