Problemi vazhdon i njëjti, por këtë herë kupa është mbushur dhe gjashtë klubet e mëdha të futbollit italian kanë braktisur punimet e asamblesë që është mbledhur ditën e sotme.

“Kjo situatë nuk mund të ndreqet”, ka thënë Adriano Galliani, i cili ka bërë rolin e zëdhënësit për Milan, Juventus, Inter, Napoli, Roma dhe Fiorentina. Edhe Chievo është larguar nga tryeza. “Nuk është mundur të gjendet një zgjidhje dhe të vazhdohet përpara me punimet, ne përfaqësojmë 80 për qind të tifozëve në Itali, ka vazhduar Galliani.

Siç është diskutuar edhe më parë problemi që vijon të mbetet është shpërndarja e të drejtave televizive. Pas braktisjes së këtyre skuadrave asambleja është bërë e pavlefshme sepse për të marrë vendime duhen të paktën 15 vota.

Përfaqësuesit e 6 klubeve kryesore të Serie A jashtë ambienteve të Lega-sSot, gjithsesi, nuk është bërë asnjë votim në lidhje me zgjedhjen e presidentit të Lega-s A. Ky votim është shtyrë sepse në tryezë kanë mbetur vetëm 13 përfaqësues të klubeve të Serie A, të cilët nuk plotësojnë dot minimumin që kërkohet në bazë të rregullores.

Në lidhje me hipotezën e një presidenti të përkohshëm dhe të pavarur ka folur edhe presidenti i Komitetit Olimpik Italian, Giovanni Malago: “Kam lexuar se ka akoma disa mosmarrëveshje në lidhje me politikat sportive që duhen çuar përpara, shumë persona i njoh dhe flas shpesh me ta”, ka thënë ai gjatë një evenimenti të zhvilluar në Milano. “Unë nuk mbështes asnjërin dhe nuk do ta doja këtë detyrë. Por nëse nuk do të gjendej një zgjidhje brenda afateve të parashikuara nga rregullorja, do të mbetej rruga e vetme për t’u ndjekur”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb