Shorti i hedhur para pak çastesh në Nyon të Zvicrës për fazën e “play-off” të Europa League skuadrës shqiptare të Skënderbeut i ka rezervuar si kundërshtar kroatët e Dinamos së Zagrebit.

Skënderbeu e nisi turin eliminator në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm Europian kundër modestëve nga San Marino Sant Julia të cilët i eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 6-0. Në fazën e dytë korçarët eliminuan kazakët e Kairat Almaty. Takimi i parë në Kazakistan përfundoi me shifrat 1-1, ndërsa ndeshja e kthimit në Korçë u mbyll 2-0 për skuadrën shqiptare.

Mllada Boleslav ishte kundërshtari i fazës së tretë me të cilën Skënderbeu i mbylli hesapet në takimin e kthimit të luajtur mbrëmë. Takimi i parë i luajtur në Çeki përfundoi në favor të çekeve, 2-1, po me këtë rezultat u mbyll dhe ndeshja e kthimit por Skënderbeu u kualifikua falë penalltive.

Shpresojmë që shorti i sotëm të jetë një ogur i mirë për Skënderbeun pasi herën e vetme që korçarët u kualifikuan në fazën e grupeve te “Europa League” në “play-off” në sezonin 2015-2016 u ndeshën më kroatët e Dinamos së Zagrebit, pavarësisht se ndeshja ishte e vlefshme për “play-off” e Ligës së Kampionëve ku Skënderbeu u mund, ata u kualifikuan falë formulës së UEFA-s. Humbësi i “play-off-it” të “Champions League” bëhet pjesmarrës direkt në fazën e grupeve të “Europa League”.

Ndeshja e parë ndërmjet këtyre ekipeve do të luhet në Kroaci më 17 gusht, ndërsa ndeshja e kthimit në “Elbasan Arena” është përcaktuar të luhet një javë më pas, më 24 gusht.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb