Nga Klodiana LALA

TIRANË- Hetimet për të hedhur dritë mbi misterin e lëndimit të 140 pjesëmarrësve në mitingun e Partisë Demokratike, janë orientuar nga dyshimi se helmimi mund të ketë ardhur nga prozhektorët që u përdorën për ndriçim.

Për këtë arsye, Prokuroria vendosi të sekuestrojë 2 nga 12 prozhektorët me mbishkrimin “Skaf” dhe 1 kuti që shërben për ndezjen e llambave, e cila në gjuhën teknike quhet (Balaster), të cilët ishin të vendosur në 4 platforma.

“BalkanWeb” mëson se sipas urdhrit te sekuestrimit, rezulton se ndriçuesit janë model “Philips” me voltazh 380 V dhe fuqi 2000 wat me kabllo me gjatësi 9 metra. Pajisjet janë në pronësi të kompanisë “P****” dhe pritet të dërgohen për ekzaminim në laborator, për të përcaktuar nëse janë ose jo shkak për helmimin e qytetarëve.

Pronari i kompanisë, raporton “BalkanWeb” iu dëshmoi hetuesve se të njëjtët prozhektorë janë përdorur në disa mitingje, që nga viti 2013, madje së fundmi u përdorën në mitingjet e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nuk kanë shkaktuar asnjë problem për qytetarët pjesëmarrës. Madje për të vërtetuar pretendimet e tij, ai i vuri në dispozicion prokurorisë, video dhe foto të aktiviteteve në fjalë.

Ai sqaroi se në rastin e fundit prozhektorët ia kishte dhënë me qira një tjetër kompanie që ishte kontraktuar për organizimin e mitingut nga Partia Demokratike. Të njëjta fakte deklaroi dhe avokati i kompanisë pasi mori kontakt me prokurorinë.

Në prokurorinë e Tiranës mbërriti paraditen e së hënës, drejtori i policisë së Tiranës, Ard Veliu dhe zëvendësi i tij, të cilët qëndruan për më shume së 20 minuta në bisedë me grupin e hetimit. Ngjarja në fjalë, edhe pse e mbuluar nga misteri, është referuar për ndotje të ajrit, sipas nenit 201 të kodit penal, pasi dyshimet se mund të jetë hedhur ndonjë lëndë helmuese nuk përjashtohen.

“BalkanWeb” raporton se në hetimin e çështjes janë përfshirë edhe specialistët kimistë të ushtrisë, të cilët pritet të japin përgjigje nëse në miting është përdorur ndonjë lëndë helmuese apo kimike.

Kimistët në vendngjarje, nuk gjetën asnjë provë të dyshimtë, pasi platforma ku kishte folur lideri i opozitës z.Basha gjatë mitingut ishte çmontuar dhe ambienti ishte pastruar.

Megjithatë, ekspertët kanë në duar prova rrethanore, siç janë veshjet e simpatizantëve në miting, të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor për t’iu nënshtruar analizave.

140 qytetarë, përfshirë dhe liderin e opozitës Lulzim Basha u paraqitën disa orë pas përfundimit të mitingut në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza” për ndihmë mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se të gjithë kanë qenë me simptoma të ngjashme, shenja të helmimit, kryesisht djegie në sy dhe skuqje lëkure në pjesët e sipërme të trupit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb