PRISHTINE– Profesori Ismet Hajrullahu, në ‘Ballë për Ballë’ të Klan Kosovës deklaroi se Kosova duhet të dënojë krimet e komunizmit, duke miratuar një rezolutë dhe kaluar një ligj lustracioni. Ai ka thënë se është e pamundshme të ketë ndryshim rrënjësor, kur njerëz nga elita komuniste ende gjenden në pozita të rëndësishme në Kosovë, duke vënë theksin tek kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

“Marrja e çështjes në duar të individit për të zgjidhur problemet e së kaluarës nuk është e duhur, sepse ne kemi institucione që duhet të merren me këto raste. Kështu unë nuk pajtohem me aktin e dorasit. Por nuk pajtohem as me institucionet. Sepse nëse kanë pasur informacione që mund të ndodhë një rast i këtillë, do të duhej të informohej Azem Vllasi. Akti është tregues që shoqëria jonë duhet të distancohet nga një sistem i së kaluarës. Të distancohemi nga krimet e komunizmit. Kosova ka qenë epiqendra e krimeve të komunizmit. Nuk mund të kemi drejtësi të besueshme, për aq kohë sa në krye të institucioneve ligjore të kemi gjykatës apo prokurorë që dje kanë dënuar pa bazë shqiptarë. Nuk kemi ligj të lustracionit, siç e kanë bërë shtetet tjera demokratike. Nëse do të kishim një ligj të këtillë, atëherë as kryeministri i vendit nuk do të mund të ishte në atë pozitë. Situata e krijuar kërkon me urgjencë që të ndahemi nga e kaluara”.

Abdullahu ka theksuar se Kosova duhet me patjetër të shkëputet nga ajo epokë dhe institucionet të kryejnë punën e tyre, në mënyrë që individët të mos marrin vet në dorë këto çështje.

“I gjithë Ballkani është shkëputur nga ajo kohë. I ka dënuar krimet e komunizmit. Vetëm ne nuk e kemi bërë atë gjë. Ne duhet të nxjerrim një rezolutë që dënon krimet e komunizmit dhe të kemi një ligj lustracioni, për t’ua pamundësuar njerëzit që kanë qenë në pozita në sistemin e shkuar dhe kanë kryer vepra, të jenë sot në institucione. Për të mos kaluar çështjet në duar të individëve, drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb