Një grua shqiptare ka shpëtuar vetëm falë ndërhyrjes më shumë se profesioniste të 5 policëve gjermanë.

Një familje shqiptare prej pesë anëtarësh ishte duke udhëtuar me makinë nëpër Austri drejt Gjermanisë, shkruan pno.de. Ndërsa ishin ende në Austri, gruaja rreth 70 vjeçe ishte ankuar për probleme shëndetësore, kështu që familjarët u detyruan të ndalonin në një vendpushim të autostradës.

Ndërkaq, kur familja kishte hyrë në Gjermani, gjendja e gruas u përkeqësua në mënyrë dramatike, shkruan albinfo.ch. Ajo humbi ndjenjat dhe pulsi nuk i rrihte më. Shoferi i makinës informoi policët në postbllokun e parë policor, në pikën e kontrollit kufitar në Pocking, autostrada A3 në Gjermani, të cilët pastaj i thirrën për ndihmë kolegët e tyre.

Pesë policë filluan me masat e ndihmës së shpejtë, përmes masazhit të zemrës dhe frymëmarrjes artificiale, bën të ditur eprori i tyre 30-vjeçari Goller, i cili punon në këtë pikë nga dhjetori i vitit të kaluar.

“Ishte një punë në ekip”, thotë ai me modesti. Policët në këtë veprim i ka ndihmuar fakti se ata pak kohë më parë kishin mbaruar një trajnim për ndihmën e parë.

Derisa Kryqi i Kuq i Bavarisë arriti në vendin e ngjarjes, policët po vazhdonin luftën për jetën e pacientes dhe këtë e mbaruan me sukses. Kur ajo ishte tashmë në autoambulancë, i ishte kthyer pulsi. Ndërkohë ajo është dërguar për trajtim në një klinikë në Passau.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: