SHKODER- Policia e Shkodrës sekuestron 48 kg kanabis në kufi me Malin e Zi, por pa mundur të kapë dot personat që e transportonin.

Ishin shërbimet e policisë kufitare, ata që gjatë patrullimit në kufirin jeshil në afërsi të piramidës A-2-9/1, në kufi me Malin e Zi, në vendin e quajtur Bukoviç, mbi fshatin Brigjë, Hot, Njësia Administrative Kastrat, Malësi e Madhe konstatuan me anë të kamerave termike disa persona që po lëviznin në drejtim të Malit të Zi duke transportuar dy thasë ku dyshohej se ishin me lëndë narkotike.

Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare kanë njoftuar Forcën Operacionale të Kufirit si dhe Sektorin Kundër Narkotikëve në D.V.P Shkodër. Personat, porsa kanë parë se po i ndiqte policia kanë fshehur lëndën narkotike dhe janë larguar në drejtim të pyllit.

Si rezultat i krehjes së zonës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy thasë ku brenda tyre kishte 44 pako me peshë rreth 48 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e personave që transportonin lëndën narkotike.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve e mbetur në tentativë”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: