TIRANE – Pas thirrjeve të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për bllokim të trafikut kombëtar ditën e nesërme, ka reaguar drejtori për sigurinë Altin Qato.

Ky i fundit, u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e nxitjes politke, dhe mos të bëhen pjesë e tubimeve të paligjshme. Qato gjithashtu tha se do të ketë dëme deri në burgim për shtetasit që prishin rendin.

“U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve politike. Manifestimi është i paligjshëm kështu që duhet ta shmangni atë. Është e palejuar dhe policia do të marra masat përkatëse. Do filmohen personat që do të marrin pjesë në të. Do të ketë dëme deri në burgim për shtetasit që prishin rendin,” tha Qato.

altin-qato
Drejtori për sigurinë Altin Qato

Në fund të fjalimit të tij në çadër ditën e sotme, Basha paralajmëroi qytetarët që ditën e nesërme të bllokojnë trafikun kombëtar me 1 orë nga ora 11:00 deri në 12:00.

“1 orë bllokim i trafikut kombëtar është sakrificë e vogël, nesër 1 orë të gjithë bashkë të vendosur dhe tërësisht të bashkuar, bllokojmë të keqen për t’i hapur rrugën të mirës. Mes orës 11-12, për të thënë ndal krimit, ndal drogës,” u shpreh Basha.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

Partia Demokratike e Shqipërisë ka lajmëruar se në datën 24 Prill, ditën e hënë, do të zhvillojë një protestë publike, e cila do të shoqërohet me bllokimin e disa rrugëve kryesore kombëtare.

Të nderuar qytetarë,

Policia e Shtetit njofton se nuk ka dhënë lejen për zhvillimin e kësaj proteste. Ky vendim i Policisë së Shtetit është në përputhje të plotë me nenin 8 të Ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet” i cili përcakton se: “Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e  tubimit ose të vendosë për kohën  dhe vendin e  zhvillimit të tubimit.” Zhvillimi i protestave apo edhe i tubimeve të tjera në rrugët kryesore kombëtare, duke bërë bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, përbën një cënim të rëndë të rendit publik.

Asnjë shkak ligjor dhe asnjë motiv tjetër me interes publik nuk e justifikon zhvillimin e kësaj proteste në këtë mënyrë. Zhvillimi i kësaj proteste cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve. Ndaj Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë.

Policia e Shtetit është plotësisht e ndërgjegjshme për detyrimin që ka për të siguruar mbarëvajtjen e çdo proteste paqësore, e cila nuk cënon interesat publike, por ajo nuk do të tolerojë aspak, këdo që me veprimet e tij shkel ligjin në lidhje me tubimet dhe manifestimet. Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cënojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm.

Të gjithë ata që do të marrin përsipër t’u shkojnë pas politikanëve të kujtdo subjekti politik për të cënuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave, dëmtuar bashkëjetesën shoqërore dhe ekonominë e bizneseve, do të përballen me ligjin. Në përputhje me parashikimet e nenit 21 të ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 ”Për tubimet” Policia e Shtetit do të regjistrojë çdo shtetas dhe çdo automjet që i vihet në dispozicion një manifestimi të tillë dhe bashkë me provat përkatëse do t’i paraqesë organit të Prokurorisë kallzimin penal përkatës.

Kodi Penal, përkatësisht neni 262 dhe 274 të tij sanksionojnë dënime të rënda deri me burgim për ata shtetas që marrin pjesë në manifestime të paligjshme dhe/ose prishin rendin dhe qetësinë publike. Organizatorët dhe udhëheqësit e këtyre manifestimeve të paligjshme duhet të kuptojnë dhe të kenë përgjegjshmëri politike dhe qytetare për pasojat që mundet të vijnë. Do të jenë ata përgjegjësit ligjorë për çdo pasojë të ardhur si rrjedhojë e prishjes së rendit publik dhe/ose destabilizimit të tij.

Policia e Shtetit sjell gjithashtu në vëmendje që zhvillimi i manifestimeve të paligjshme mundet të shfrytëzohet edhe nga elementë kriminal me qëllime të caktuara për të krijuar destabilitet. Ndaj ju bën thirrje qytetarëve që të shmangin pjesëmarrjen në aktivitete të tilla të paligjshme, të jenë vigjilentë dhe të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre, si dhe të tregojnë kujdes  të madh, nëse gjenden pranë këtyre tubimeve të paligjshme.

Policia e Shtetit ka gjithë të drejtën ligjore, si dhe zotëron të gjithë kapacitetet për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve dhe për të vënë përpara përgjegjësisë këdo shkelës të ligjit në këtë rast. Policia e Shtetit gjithashtu, siç ka dëshmuar në gjithë këto vite, është plotësisht e aftë për të përmbushur detyrimin ligjor si garante e zhvillimit të çdo tubimi paqësor kudo dhe nga kushdo.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb