TIRANE– Prej janarit të këtij viti, Policia e Shtetit ka nisur një aksion të shtrirë në mbarë vendin, duke thelluar luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Kontrolle janë ushtruar në gjithë terrenin, dhe verifikime ka pasur kryesisht në objekte të cilat mund të shfrytëzohen nga grupet kriminale për kultivimin e fidanëve, si: depo, magazina, tunele, ish-depo të rezervave të shtetit, sera, etj., si dhe në zona të identifikuara me risk të lartë gjatë vitit 2016.

Kështu gjatë periudhës janar-prill 2017 janë ushtruar 14.858 kontrolle në sera, tunele, ish- depo të rezervave të shtetit, magazina, etj.

Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato, gjatë një konference për mediat ditën e sotme u shpreh se deri më tani janë evidentuar 16 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, identifikuar 21 persona si të përfshirë, dhe janë sekuestruar 3.567 bimë.

Si rezultat i masave të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit është bërë e mundur që gjatë kësaj periudhe të goditen 493 raste prodhim, shitje dhe trafik të lëndëve narkotike.

Janë arrestuar 379 autorë, si dhe janë referuar materialet në Prokurori për 243 autorë të tjerë.
Janë sekuestruar gjithsej rreth 28 ton kanabis, 1 kg kokainë, 12 kg heroinë.

“Në punën tonë për parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, ne jemi të vendosur për të ndëshkuar edhe çdo punonjës Policie, që me veprim apo mosveprim, nuk përmbush detyrën funksionale. Gjatë kësaj periudhe, janë hetuar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, 58 punonjës Policie, nga të cilët, 13 punonjës Policie janë përjashtuar nga Policia, 1 vërejtje me paralajmërim dhe 1 vërejtje, ndërsa të tjerët janë në proces hetimi penal dhe administrativ.

Policia e Shtetit po punon me përkushtim dhe profesionalizëm për të përmbushur vizionin e Planit Kombëtar kundër kanabisit, duke gjetur bashkëpunimin e Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Ministrisë së Mbrojtjes, institucionit të prefektit, autoriteteve vendore, si edhe të medias e cila i ndihmon transparencës së procesit”, tha Qato.

Në luftën kundër kultivimit të kanabisit, Policia e Shtetit fton edhe të gjithë qytetarët, shoqërinë civile dhe partnerët që të denoncojnë çdo rast. Sakaq, njoftohet se për çdo informacion të vlefshëm dhe të vërtetë do të ketë një fond shpërblimi, që do të shkojë deri në 300 mijë lekë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb