Nga Adri Nurellari
Mjafton të vizitosh Banskon në Bullgari dhe Kolashinin në Mal të Zi sikurse më ka ndodhur mua në këtë dimër, për t’u takuar me pafund shqiptarë të Shqipërisë që në pamundësi për të pasur resorte turistike malore, detyrohen të udhëtojnë jashtë shtetit. Shtetasit e Republikës së Shqipërisë që vizitojnë Republikën e Kosovës kanë pasur një shtim të madh në vitet e fundit duke zënë vendin e parë me çerekun e totalit të fjetjeve të bëra nga shtetas të huaj në Kosovë. Një pjesë e madhe e tyre shkojnë pikërisht në Brezovicë, Bogë dhe Brod, ku ka infrastrukturë për skijim. Vizitorët nga Shqipëria janë duke u shtuar ndjeshëm në qendrat e skijimit të fqinjëve si në Kodrën e Diellit dhe Mavrovë të Maqedonisë, Kolashin e Zhabjak të Malit të Zi e madje edhe në Pisoderi e të Greqisë. Pra, përveç potencialit për të tërhequr turistë të huaj për pushime dimërore, ka edhe një kërkesë vendëse në rritje për skijimin.

Është për të ardhur keq që sportet dimërore malore nuk janë aspak të zhvilluara në Shqipëri, ndërkohë që e kemi 2/3 e territorit malor dhe lartësia mesatare e relievit tonë është 708 metra, ose 2 herë më e lartë se mesatarja e Evropës. Vitet e fundit një pjesë e mirë e turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri pëlqejnë më së shumti të vizitojnë malet dhe peizazhin rural tonin, çka lë të mendohet se malet tona do të ishin shumë tërheqëse, nëse do të ofronin edhe sportet dimërore. Fatkeqësisht shumica e burimeve të sipërmarrësve shqiptarë janë përqendruar tek turizmi bregdetar dhe asnjë investim serioz nuk është bërë në komplekse malore dimërore, pavarësisht potencialit të madh dhe kërkesës në rritje. Për momentin në Shqipëri mund të thuhet se në mënyrë disi të organizuar skijimi zhvillohet vetëm në dy vende. Së pari është zona e Korçës, më konkretisht në Dardhë, ku në rrugën që vjen prej Boboshticës është ndërtuar në vitin 2012 pista Bigëll, e vetmja në vend. Kjo pistë ka teleferikë të thjeshtë që tërheqin në sipërfaqe, me më pak se 2 kilometra pista që shkojnë deri në një lartësi maksimale prej 1663 metrash, duke krijuar një disnivel prej 78 metrash nga baza. Mirëpo sikurse ndodh edhe me Voskopojën, edhe pse klima është e përshtatshme, në atë zonë nuk ka male mjaftueshëm të larta për të krijuar disnivelin e nevojitur për të bërë pista të gjata.

Aktualisht qeveria shqiptare me mbështetjen e GIZit është duke studiuar për të ndërtuar një resort malor në pllajat që rrethojnë fshatin Nikolicë, në afërsi të Dardhës dhe ngelet për të parë se cili do të jetë projekti i propozuar Së dyti, në pllajën e Shishtavecit në Kukës, ku ka një traditë prej shumë dekadash të skijimit dhe ku vitet e fundit janë organizuar edhe kampionate. Kohëve të fundit aty është ndërtuar një klub skijimi, që mirëmban pistat e rrëshqitjes dhe i ngjit skiatorët në lartësi me anën e një makine bore me zinxhirë. Mirëpo potenciali i zgjerimit aty është shumë më i madh, pasi kuota më e lartë e pllajës shkon pranë kufirit tek 2000 metra dhe disniveli me bazën mund të jetë së paku 700 metra çka lë të mendohet për mundësi për shumë kilometra pista. Studimet tregojnë se ka rreth 2000 komplekse skijimi me teleferikë në male në 66 vende të botës, duke përfshirë vende që janë më të ngrohta edhe më në jug se Shqipëria si Qipro, Algjeria, Libani Izraeli e Maroku. Masivizimi i këtij sporti ka bërë që të ketë edhe një numër të madh vendesh, mbi 15, të ndërtojnë edhe pista të mbyllura skijimi. Sot llogariten rreth 125 milionë skiatorë në botë dhe rreth 15% e tyre udhëtojnë jashtë vendit për të skijuar. Ka shumë që vijnë nga vende të sheshta pa shumë mundësi skijimi si për shembull Holanda (me 1 milionë skiatorë), Mbretëria e Bashkuar, Gjermania e Belgjika që si pasojë e shtrenjtësisë së komplekseve të skijimit të Alpeve të Evropës, po drejtohen gjithmonë e më shumë drejt komplekseve më të lira të Bullgarisë, Rumanisë e Sllovakisë. Me gjasa nga këta skiatorë mund të tërhiqen të vijnë edhe tek ne nëse edhe ne ndërtojmë rersortet tona malore.

Pasioni për malet më ka shtyrë që të vizitoj pothuaj të gjitha zonat malore në Shqipëri dhe duke përdorur disa nga kriteret e standardet që përdoren për të ndërtuar pistat e skijimit, mund të përpiqem të identifikoj disa blloqe malore, ku ka shumë mundësi që të jetë e përshtatshme ndërtimi i pistave. Problemi kryesor është padyshim sasia e borës, e cila është e bollshme vetëm në pjesë të kufizuara të vendit. Ngrohja globale e ka bërë të nevojshme edhe për vende të tjera të Evropës me traditë skijimi, që pistat e reja t’i ndërtojnë kryesisht në lartësi mbi 1500 metra për të pasur borë për një kohë sa më të gjatë. Njëherazi për të mundësuar borë të vazhdueshme dhe të mjaftueshme janë masivizuar gjithnjë e më shumë pajisjet që e prodhojnë artificialisht. Kompani të ndryshme që projektojnë dhe ndërtojnë impiante skijimi gjykojnë të arsyeshme që disniveli i lartësisë së malit ku ndërtohen pistat, pra maja më e lartë ku nis pista dhe baza ku përfundon, të jenë diku tek 400 metra. Megjithatë, në vende të Evropës Qendrore ku mungojnë malet si Republika Çeke, Polonia e Hungaria, ka shumë pista që disnivelin e kanë edhe më të vogël. Faqja e malit nuk duhet e thyer, por preferohet të jetë me pjerrësi sa më e butë për të qenë e përdorshme për ski dhe vështirësia varion duke nisur prej pjerrtësisë 0-5% për pistat e gjelbra, 5-25% ato blu, 25-40% ato të kuqe e më shumë se 40% pistat e zeza. Të rekomandueshme janë pistat në faqen veriore të maleve, në mënyrë që bora të shkrijë më ngadalë si dhe ato që janë të veshura me kullota sepse bari e mban më mirë borën. Vermoshi dhe Lëpusha janë zonat rurale me motin më të ftohtë dhe nivelin më të lartë të reshjeve me borë, që rrethohen me male pjerrësi të butë dhe të mbuluara me kullota që i bëjnë ideale për pista skijimi.

Në krahun e përtejmë të kufirit, në Plavë dhe Guci, pra në të njëjtën zonë gjeografike klimaterike ekzistojnë studime e projekte konkrete për qendra skijimi. E mira është që në këtë pjesë të Kelmendit të sipërm, sasia e borës është aq e madhe sa s’ka nevojë që pistat të ndërtohen në kuotë të lartë me shpenzime të mëdha për teleferikë, por mund të bëhen fare afër shtëpive të zonës, me minimumin e investimit, me lifte që tërheqin skiatorët pa shkëputje nga toka, ngjashëm me qendrat e vogla të skijimit “Hajla” të Rozhajës dhe “Lokve” të Beranes. Një tjetër zonë mahnitëse në alpet tona që ka reshje shumë të mëdha bore është ajo e Çeremit, sipër Dragobisë së Valbonës. Pllajat e veshura me bar që janë poshtë majës së Valit dhe majës së Trokuzit do të mund të shndërroheshin lehtësisht në pista skijimi me minimumin e investimit. Në Çerem është parashikuar që të bëhet një vendkalim kufitar, ai i Qafë- Vranicë, që do e lidhë Tropojën me Plavën dhe mund ta bëj Çeremin goxha më lehtësisht të aksesueshëm se tani. Më në lindje të Çeremit, ndodhet malësia e Gashit me kullotat e pasura alpine dhe me pllajat e Doberdolit e Sylbicës që njihet për borën masive dhe do të ishte gjithashtu goxha zonë e përshtatshme për skijim.

Mirëpo edhe nëse pak zona kanë reshjet e borës dhe klimën e ftohtë të Vermoshit, ka zona të tjera malore të Shqipërisë, ku bora mban gjatë në kuota lartësie mbi 1500 metra, sikurse është mali më i lartë i Shqipërisë. Korabi (2751 m) në pjesët e sipërme ka terrene dhe klimë të përshtatshëm për të bërë komplekse të mëdha skijimi. Ndërtimi i rrugës së shumëpërfolur të Arbrit do ta bënte zonën e Korabit të arritshme për pak më shumë se një orë prej Tiranës duke e shndërruar lehtësisht në destinacionin e preferuar të skjimit për banorët e kryeqytetit. Për kë e ka vizituar atë zonë është i mirënjohur fakti që e ashtuquajtura fusha e Korabit, që është pllaja malore e mbushur me kullota të pasura sipër fshatit të Radomirës, rri e mbuluar me borë çdo vit për pesë muaj. Po ashtu, edhe bjeshkët e Ilnicës poshtë majës së Velivarit (2374m) kanë potencial të madh për të pasur pista skijimi. Përballë Korabit, ngrihet Mali i Lurës, i cili është i lartë deri 2121m dhe gjithashtu njihet për praninë e gjatë të borës në kuota të larta prandaj me siguri do të ishte i përshtatshëm për skijim në faqen veriore dhe veri-lindore (sipër fshatit Kumbull). Nëse studimet e hollësishme do të konfirmonin mundësinë e ndërtimit të pistave të skjimit në malin e Lurës, atëherë leverdia do të ishte shumë e madhe, sepse oferta turistike e zonës nuk do të ishte vetëm për skijim në dimër, por edhe për soditjen e parkut kombëtar të Lurës në behar me 12 liqenet e tij.

Për sa i përket infrastrukturës impianti më i përshtatshëm i skijimit mbase do të ishte në Malin e Thatë të Pogradecit, meqenëse buzë liqenit të Ohrit ekziston tashmë një traditë e vjetër turizmi në zonë dhe një ofertë e pasur hotelerike, kulturore e natyrore për turistët. Maqedonia ka një projekt për një qendër skijimi sipër fshatit liqenor Gradishtë në malin e Galiçicës, i cili ndodhet ngjitur në veri me malin e Thatë. Fakti që projekti i mirëstudiuar maqedonas i Galiçicës e ka vendndodhjen pak kilometra larg dhe ka terren e klimë të njëjtë, le të mendohet se një projekt skijimi është i replikueshëm edhe për Malin e Thatë, i cili lartësinë më të madhe e ka tek Pllaja e Pusit me 2288 metra. Në Pogradec ekziston tashmë infrastruktura e mikpritjes me hotele e restorante të shumta si dhe ka lidhje të mirë transporti me rrugë që janë rehabilituar rishtazi dhe me aeroportet e Ohrit dhe Selanikut në afërsi. Kur flitet për borë në lartësi, një tjetër mal që ka potencial të bëhet destinacion skijimi me dhjetëra kilometra pista skijimi është padyshim mali i Gramozit (2523) i cili qëndron hijerëndë sipër qytetit të Ersekës.

Klima në këtë zonë njihet si goxha e ftohtë dhe me borë të shpeshtë, gjë që të lë të mendosh se pjesa mbi 1500 metra e sipër e malit rri e veshur në borë për së paku 120 ditë të vitit. Kur vijon rrugën prej Ersekës për në Leskovik, në mes të rrugës gjendet parku i Gërmenj- Shelegurit e sipër tij, mali i Kamenikut, i cili është diku tek 2000 i lartë e mund të ishte i volitshëm për skijim. Jo shumë larg Tiranës dhe qyteteve të tjera kryesore të Shqipërisë gjendet parku kombëtar Jabllanicë Shebenik, që përveçse ka një florë dhe faunë shumë të pasur dhe 14 liqene akullnajore, i ka majat e maleve (respektivisht 2275 dhe 2253 metra të lartë) të mbushura me borë, e cila qëndron pa shkrirë deri vonë në pranverë. Faqja veriore e Shebenikut që bie mbi fshatin Qarrishtë dhe faqja veriore e Jabllanicës që bie mbi Steblevë mund të ishin të dyja të përshtatshme për pista skijimi. Mali i Bukanikut sipër fshatit turistik të Gjinarit të krahinës së Shpatit njihet gjithashtu si një mal, ku bora nis në nëntor e shkrin plotësisht deri në maj. Pak më në jug të shpatit është një tjetër pjesë e harruar e Shqipërisë, e cila fatmirësisht po del prej izolimit falë ndërtimit të rrugës së re Gramsh-Moglicë. Bëhet fjalë për malin e Valamarës, që e ka majën më të lartë 2373m. Ky është një mal i bukur i stolisur me kullota, pyje dhe liqene dhe krahu verior-lindor i këtij mali që bie mbi fshatin e bukur historik të Grabovës (që gjendet në lartësinë 1300m) do të ishte më se përshtatshëm për skijim. Në Shqipëri ka edhe male të tjerë të lartë në zonën lindore që e mbajnë borën gjatë në pjesën e lartë të tyre e qe gjithashtu meritojnë të analizohen me vëmendje, si për shembull Mali i Lopës, Balgjajt, Koritniku, Gjallica, pllajat e sipërme të maleve që rrethojnë luginat e Valbonës dhe Thethit etj.

Kuptohet që komplekset e skijimit kërkojnë investime të mëdha prandaj para se të vendoset në mënyrë definitive për vendin optimal të skijimit nevojiten studime të mirëfillta profesionale që analizojnë hollësisht: motin, temperaturat, reshjet dhe erën që studion përbërjen e tokës dhe rrezikun për ortekë, që projekton pistat e mundshme, që shqyrtojnë afërsinë ndaj tregjeve dhe lehtësinë e ardhjes së konsumatorëve si dhe që bën planin urbanist për infrastrukturën mikpritëse. Megjithatë, ajo që vlen të theksohet se nëse ka ngelur një thesar ari në turizmin shqiptar që ende nuk është prekur, ai është padyshim turizmi sportiv malor dhe mundësitë ku mund të zhvillohet në Shqipëri janë të shumta.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: