Vendimi i djeshëm i Komisionit të Etikës erdhi pas gati më shumë se 9 muajsh hetime që në fund për fat të keq rezultuan më shumë zvarritje sesa investigim i mirëfilltë. Natyrisht, çështja ishte e ndërlikuar, por nëse Etika do t’u përmbahej rigorozisht rregullave, vendimi mund të ishte marrë kohë më parë, madje duke shmangur edhe një kërcënim të ashpër të UEFA-s në fundin e muajit mars.

ekipi kampion skenderbeu 2015-16

Gazeta “Panorama Sport” prej kohësh ka trajtuar me seriozitet e paanshmëri çështjen “Skënderbeu” dhe pas hulumtimeve rezulton se vendimi për të ndëshkuar në një formë klubin korçar për manipulime ka qenë më shumë një ultimatum i UEFA-s, sesa vullnet i pastër i FSHF-së për të vënë sadopak drejtësi.

ZVARRITJET E FSHF-së
Menjëherë pas pezullimit të Skënderbeut nga UEFA për Kupat e Europës, federata dha sinjale se nuk ishte në një mendje me institucionin europian të futbollit. Deklaratat e Dukës se “Skënderbeu ishte dënuar pa të drejtë”, apo të zyrtarëve të tjerë se “nuk ishte dënim, por pezullim” shfaqën qartë edhe linjën që do të kishte në vazhdim FSHF-ja.

Në fakt nuk zhgënjyen, sepse gjithnjë e shmangnin këtë temë dhe shpresuan deri në fund që ajo të lihej në harresë. Me gjasë, edhe euforia e Europianit kish bërë të vetën… Por çështja ishte aq serioze, saqë UEFA jo vetëm që nuk bëri asnjë hap pas, por duke shijuar edhe triumfin në KAS, e përdori precedentin “Skënderbeu” si një shembull për gjithë të tjerët.

Po, sepse Skënderbeu u dënua për lëvizje të koeficientëve të basteve në mënyrë të dyshimtë. Nuk kish ndodhur asnjëherë më parë kjo…

Gjithsesi, deri në muajin nëntor nga pala shqiptare u bë e pamundur që kjo gjë të artikulohej sa më pak në publik. Mësohet se vetëm pas udhëzimeve të prera të UEFA-s se duhej të kishte një vendim edhe nga institucioni shqiptar i futbollit për këtë rast, atëherë zyrtarët e FSHF-së nisën një tjetër kurs: çështja do të kalojë në Etikë dhe vendimi do të merret pasi të ketë ardhur argumentimi nga KAS.

Deklarata të tilla nisën të bëheshin diku nga nëntori. Në fund të muajit dhjetor erdhi edhe vendimi i argumentuar i KAS-it, që në fakt u bë publik edhe në median shqiptare, edhe pse pa dëshirën e FSHF-së…

URDHRI I PRERË NGA UEFA
Komisioni i Etikës asnjëherë nuk ishte prononcuar për mënyrën se si po zhvilloheshin hetimet. Ndërkaq, dosja e Skënderbeut kishte mbërritur edhe në Prokurori, madje ishin marrë në pyetje presidenti Takaj, ish-trajneri Josa dhe disa futbollistë. Në këtë rast Etika, qoftë edhe për të hequr përgjegjësitë nga vetja, shpresoi që Prokuroria të dilte me një përfundim konkret dhe më pas anëtarët e Etikës të kishin një “motiv” madhor për të marrë masa drastike ndaj korçarëve.

Kjo nuk ndodhi deri afër fundit të muajit mars. UEFA, duke mos e anashkaluar për asnjë moment si çështje dhe duke parë tendencën e palës shqiptare vetëm për t’i zvarritur hetimet, mësohet se i ka dhënë urdhër të prerë FSHFsë:

“Si anëtare e UEFA-s, jeni të detyruar që të merrni një vendim ndaj klubit tuaj kampion që është pezulluar nga Kupat e Europës për shkak të trukimeve! Në rast se nuk e bëni ju, atëherë çështja do të kalojë sërish në organet disiplinore të UEFA-s dhe vendimi do të jetë drastik…”.

Pra, mësohet nëse Skënderbeu i nënshtrohej sërish një hetimi nga UEFA mund të dënohej me zbritje në Kategorinë e Tretë dhe mospjesëmarrje deri në 8 vite në Kupat e Europës. Kjo alarmoi pa masë zyrtarët e FSHF-së. Thuhet se ata tentuan edhe të negocionin me drejtuesit korçarë për shkallën e dënimit, madje u hodh edhe hipoteza e zbritjes nga kategoria që në fund të marsit.

Por, korçarët e refuzuan në mënyrë të prerë një propozim të tillë. Ndërkaq, FSHF nisi të bënte llogari dhe arriti në konkluzionin se nëse rrëzohej Skënderbeu në atë moment, atëherë praktikisht gara e një sezoni të tërë kishte dështuar. Kjo do ta rëndonte edhe më shumë situatën dhe federata i druhej një revolte të klubeve kryesore.

U gjet një rrugë e mesme: të merrej një vendim pas përfundimit të sezonit. Kështu përfitohej më tepër kohë dhe shpresohej më shumë për zbulimin e fakteve të reja nga Prokuroria. Kjo e fundit nuk mundi të dalë dot me një konkluzion deri dje dhe Etika më pas mori një vendim.

KOMISIONI I PËRÇARË
Megjithëse prej kohësh nisi të qarkullonte lajmi se Skënderbeu do të dënohej, FSHF ishte kujdesur kaq shumë që kjo të mos bëhej publike saqë nuk jepte asnjë informacion. U desh një deklaratë e ish-kreut të bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, që kjo të bëhej publike… E megjithatë, anëtarët e Komisionit të Etikës kanë qenë të përçarë.

Burime ekskluzive të gazetës tregojnë se fillimisht tre prej tyre kanë propozuar rrëzimin e Skënderbeut nga Kategoria dhe në mbledhjen e parafundit, atë të datës 8 qershor, kanë qenë pranë një vendimi të tillë. Por, më pas, vendimi është shtyrë me shpresën sërish te Prokuroria. Kjo e fundit ende nuk ka dalë me një konkluzion dhe dje Etika mori atë vendim, por sërish mes polemikave. Pas diskutimeve të vazhdueshme, shumica e anëtarëve arsyetuan vendimin e djeshëm me këto motive:

1) Nuk mund ta rrëzojmë Skënderbeun nga Kategoria për aq kohë sa UEFA vetë nuk mori një dënim të tillë një vit më parë;

2) Nuk mund ta rrëzojmë Skënderbeun për aq kohë sa Prokuroria nuk ka zbardhur asnjë fakt shtesë nga raporti që ka nxjerrë UEFA.

3) Duhet bërë shembull një klub për manipulimet që ndodhin, por Skënderbeu është penalizuar vitin e kaluar, duke mos marrë pjesë në Europë, nuk mund ta penalizojmë sërish për të njëjtën çështje…

4) Nëse dënojmë rëndë një klub vetëm në bazë të lëvizjes së koeficientëve, rrezikojmë që të hapim një lojë, e cila nuk mbaron kurrë… Kjo, për faktin e thjeshtë sepse shumë klube të tjera shqiptare kanë raporte për lëvizje koeficientësh dhe për ndeshje të dyshuara si të trukuara…

PËRFUNDIMI
U dha një dënim thuajse i ngjashëm me atë të UEFA-s një vit më parë, me shpresën që institucioni europian i futbollit do të ngelet i kënaqur që u mor një masë edhe në Shqipëri. Në të kundërt, çështja mund të merret sërish në hetim nga UEFA dhe atëherë rreziku është vërtet i madh…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb