TIRANE- Një nga zërat e fuqishëm të Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm në qeverinë Berisha, ka analizuar në studion e “News24”, situatën në cilën ndodhen partitë e vogla në vend pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha. Në rubrikën “Opinion”, Mustafaj tha se për herë të parë, partitë e vogla do të duhet të futen në zgjedhje vetëm, jashtë koalicioneve.

Sakaq, ai ka treguar edhe se cili nga liderët politikë është propozuesi i kësaj pike të marrëveshjes. Mustafaj thotë se në dijeninë e tij, edhe pse nuk e ka të konfirmuar, këtë propozim e ka bërë Rama dhe Basha e ka pranuar.

“Me sa di unë e ka propozuar Rama, dhe Basha e ka pranuar, por informacioni im është i pakonfirmuar pasi dy protagonistët nuk kanë folur”, tha ai.

Sakaq, Mustafaj ka komentuar edhe situatën e LSI, duke shtuar se ky propozim i Ramës është bërë me qëllim minimizimin e LSI.

“Besoj se LSI nuk ka shumë arsye të jetë shumë e lumtur nga kjo. Përveç idealizmit të presidentit të zgjedhur, unë nga pikëpamja e logjikës elektorale nuk më bën të mendoj se ka dalë e fituar LSI, por kjo mbetet për t’u parë. Rama ka synuar të minimizojë rolin e LSI. Kjo është një hipotezë e imja që nuk besoj se është tërësisht e pabazë. Takimi në darkë kokë më kokë nuk ka qenë i pritur nga Basha. Dhe ky i fundit është treguar politikan i vërtetë që i është bashkuar takimit. Rama ka shkuar i përgatitur në takim”, – vijoi Mustafaj.

Sipas tij, kjo është një sfidë për partitë e vogla, për të testuar veten dhe programet e tyre. Mustafaj tha se në këtë situatë, shumë parti të vogla rrezikojnë të zhduken.

“Në këtë proces shumë parti të vogla janë ndjerë të diskriminuara, edhe për faktin se diskutimet u bënë mes dy partive të mëdha. Nëse bënë mirë apo keq këto duhen parë në vazhdim. Dihet që në koalicione këto partitë e vogla kanë fituar më shumë, edhe për shkak të formulës. Në këto zgjedhje nuk do ketë koalicione. Tani do të shohim sesa vlejnë partitë e vogla, sa janë të afta të vazhdojnë fushatën, sa janë të afta të parashtrojnë alternativa, dhe se sa janë të afta ta përballojnë garën. Kjo është sfidë. Sepse shumë parti të vogla do të zhduken. Rrezikojnë të mos kenë shumë mundësi financimi. Me këtë mënyrë të re të hyrjes në zgjedhje do të ketë një mënyrë të re kompozimi të jetës politike në vend. Pas 25 qershorit do të mundim të bëjmë llogaritjen e matjes së peshës specifike të çdo force politike në vend”, u shpreh Mustafaj.

Duke u ndalur tek reforma zgjedhore, Mustafaj tha se ky proces duhet të ishte realizuar pas rekomandimeve të OSBE/ODIHR në 2008.

“Në 2008 kam qenë në parlament dhe kam qenë dakord që nëse kalohej në sistem proporcional, ky të ishte proporcional kombëtar. Kjo do të shmangte erdhe rrezikun e futjes në parlament të personave të inkriminuar. Një ligj është i mirë kur është i barabartë për të gjithë. Shtet ligjor do të thotë një vend ku ligji është i barabartë për të gjithë. Vërejtja ime si zgjedhës, është se ne për herë të parë po shkojmë në zgjedhje pa i implementuar vërejtjet e OSBE/ODIHR të bëra 4 vite më parë. Komuniteti ndërkombëtar ishte i përqendruar totalisht tek reforma në drejtësi, dhe nuk i dhanë rëndësinë e duhur reformës zgjedhore”, tha ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb