SHKODËR – Në takimin me të rinjtë që votojnë për herë të parë, kryeministri Edi Rama premtoi se Liqenin e Shkodrës do e kthejë në një nga pikat më atraktive të qytetit.

Kreu i qeverisë e krahasoi atë me Lungomaren e Vlorës dhe pedonalen e Himarës. “Ne kemi dashur të bëjmë më shumë për Shkodrën, por s’kemi bërë dot. Por dinastinë e marubëve dhe Vllazninë e Shkodrës, i nderuam siç nuk i nderoi në 27 vite PD-ja. Ju them që shumë shpejt se ai transformim i madh që po i bëjmë Vlorës, do ja bëjmë Liqenit të Shkodrës, do e kthejmë në një zonë ku të gjithë familjarë, vajza, djem e çifte ta shijojnë të gjithë mrekullinë e asaj zone që është lënë pas dore pas një çerek shekulli. Shkodra nuk ja dha kurrë si duhet notën. Shumë shpejt do të fillojmë rindërtimin e rrugës Shkodër-Velipojë. Do e kthejmë në rrugë automobilistike, jo në shteg dhish,” premtoi Rama në Shkodër.

Ai kritikoi dhe kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, se fle gjumë dhe nuk po bën ç’është e mundur për qytetin.

“Këtu në Shkodër, PD duhet të marrë ndëshkimin e merituar për të gjithë harresën.  Transformimin e madh që kemi nisur në Malësinë e Madhe, do e vazhdojmë edhe më shumë, ashtu si dhe në Pukë. Mos më thotë njeri që ne mbështesim vetëm ata që janë kryetarë bashkish socialistë. Ne mbështesim edhe bashkinë e Vaut të Dejes, se ne nuk i ndajmë komunitetet në socialistë e demokratë. Ne bëjmë gjithçka mundemi, aty ku i gjejmë në gjumë, e kemi të vështirë. Dua t’ju them se Shkodra ka rëndësi themelore për zhvillimin e Shqipërisë që duam se ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar” tha Rama.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: