TIRANE- Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim kortezie Kryetaren e Komunës së Preshevës, zonjën Ardita Sinani.

Presidenti shprehu kënaqësinë për këtë takim me Kryetaren e Komunës së Preshevës, si dhe vuri në dukje interesimin e tij të vazhdueshëm, ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës në përgjithësi.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes bashkive të ndryshme të Shqipërisë me Komunën e Preshevës dhe realizimi i projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me jetën kulturore, arsimore, sportive, si dhe me zhvillimin ekonomik të Preshevës.

Ndër të tjera Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore në interes të garantimit të së drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Zonja Ardita Sinani, në emër të qytetarëve të Komunës së Preshevës i uroi Zotit Meta suksese në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: