Veteranit të luftës së Vietnamit, Jim McCloughan, mori Medaljen e Nderit për heroizmin e tij gjatë betejës në kodrën Nui Yon, në vitin 1969. Kjo është edhe medalja e parë e nderit që jep Presidenti Donald Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës për Pentagonin, Carla Babb, heroi i luftës shpëtoi jetët e 10 ushtarëve gjatë betejës që zgjati tre ditë. Nderi më i madh ushtarak i Amerikës iu dha infermierit të ushtrisë, Jim McCloughan, për veprimet e tij pesë dekada më parë, gjatë tre ditëve që ai i konsideron si më të këqijat e jetës së tij.

Ishte muaji maj i vitit 1969, kur lufta në Vietnam ishte në kulmin e saj. McCloughan ishte plagosur disa herë, por nuk braktisi bashkëluftëtarët e tij për t’u mjekuar vetë.

“Vura re se isha i mbuluar me gjak gjithandej, por thashë me vete nuk po largohem, pasi do nevojitem”, tregon zoti McCloughan.

McCloughan ishte pjesë e njësisë prej 89 ushtarësh që u përballën me 2 mijë luftëtarë vietnamezë.

“Nuk e di se si nuk na shfarosën. Ishin kaq shumë dhe gjendeshin kudo”, tregon ish-rreshteri Joe Middendorf.

Middendorf mbuloi me zjarr infermierin McCloughan, i njohur thjesht si “doktori” për bashkëluftëtarët, ndërsa ai po vraponte për të tërhequr të plagosurit.

“Ishte e pabesueshme ndërsa shikoje doktorin të vraponte. Jo shumë njerëz do ta bënin”, thotë zoti Middendorf.

Bill Arnold ishte një ndër dhjetë personat që u shpëtuan nga McCloughan.

Pasi ishte hedhur nga helikopteri, në gjendje shoku dhe në pamundësi lëvizjeje, Bill Arnold vuri re një veprim të papritur.

“Pse do të vraponte dikush në mesin e vijës së zjarrit? Ishte doktori dhe po vinte për mua”, tregon ish-rreshteri Arnold.

Një helikopter që ishte dërguar për t’i tërhequr nuk pati mundësi të ulej.

“Kur helikopteri u largua, m’u fashitën të gjitha shpresat. Ra një qetësi pothuajse e plotë”, thotë ish-rreshteri Mike Martino.

Me pak municion, pa ujë dhe ushqim, Jim McCloughan, mendonte për familjen dhe lutej.

“O Zot, nëse më shpëton nga ky ferr mbi tokë, vetëm që ta përqafoj sërish babain tim. Do bëhem prindi më i mirë, trajneri dhe mësuesi më i mirë i mundshëm”, rrëfen ndjenjat e asaj kohe Jim McCloughan.

Jim McCloughan dhe shumë prej bashkëluftëtarëve të tij mbijetuan. Në kthim, ai ndoqi sërish karrierën e ndërprerë nga lufta në Vietnam, duke punuar si mësues dhe trajner për shumë vjet.

Tashmë, ai mund t’i shtojë arritjeve të tij të shumta edhe titullin “hero amerikan”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: