Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Prindërit e Arben Frrokut, biznesmenit të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, por që u arratis para se Apeli të jepte vendimin, i janë drejtuar me një letër ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, fill pasi diplomati amerikan bëri akuzën-”bombë”, duke e cilësuar Frrokun si vrasës të shefit të policisë e kriminel që duhet t’i trembet reformës në drejtësi.
Nëpërmjet një letre të gjatë që disponon “GSH”, Leze e Preng Frroku, pasi sqarojnë rrethanat e ngjarjes dhe faktin se djali i tyre u etiketua si autor i krimit vetëm pak orë pas ngjarjes, i kujtojnë ambasadorit Lu, se po të kishte qenë në Shqipëri në kohën e ngjarjes, do të kishte dalë në një konkluzion të ndryshëm nga ai që shprehu publikisht më datë 17.11.2015. Prindërit e biznesmenit të shpallur tashmë në kërkim, i kujtojnë ambasadorit se duhet ta lërë drejtësinë të flasë, dhe në rastin e tyre, do të ishte më mirë nëse do të kishte bërë ndonjë kritikë për prokurorët.
Në fund, të dy i bëjnë thirrje ambasadorit Lu që të japë ndihmën e tij, për një vlerësim të drejtë dhe korrekt për çështjen në fjalë.
LETRA E PLOTE
I nderuar z. Ambasador Donald LU! Në radhë të parë, më lejoni t’ju uroj shëndet të plotë dhe mbarëvajtje në punën dhe misionin tuaj. Mision i vështirë dhe fisnik, në përmbushje të reformës dhe vendosjes së standardeve të demokracisë në Shqipëri. Unë që po ju shkruaj quhem Preng Frroku, babai i personit të dënuar Arben Frroku, personi që nga ju është konsideruar kriminel shumë i rrezikshëm që lëviz i lirë. Z.Ambasador! Pasi dëgjova fjalët tuaja, që për fatin e mirë ju i shqiptuat në gjuhën shqipe, u ndjeva shumë keq, madje u ndjeva i zhgënjyer nga ju, pasi mendoj se konkluzioni juaj është i nxituar, pasi djali im ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, dhe si rrjedhojë e kësaj drejtësia shqiptare akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit në çështjen penale kundër tij. I nderuar z.Ambasador! Unë e vlerësoj shumë punën tuaj dhe mendoj se fjalët dhe orientimet tuaja janë piketa për qeverinë dhe ministrat tanë, por do t’ju lutesha shumë që, ato mesazhe që jepni të jenë sa më të paanshme, sa më të sakta, dhe ajo që është më kryesorja, të jepen në momentin e duhur. Këtë jua thotë një burrë i moshuar që jam unë, me shumë vite mbi shpinë, jo me shkollë shumë, por me shumë vite eksperiencë nga jeta. I nderuar z.Ambasador! Unë së bashku me familjen time, gjatë gjithë jetës kemi vuajtur shumë, kemi vuajtur në sistemin e komunizmit, dhe për fatin tonë jo të mirë, po vuajmë edhe tani. Madje akoma më shumë tani që erdhi koha e demokracisë. Vuajtjet e mia dhe të familjes sime konsistojnë në kalvarin e gjyqeve të filluara nga prokuroria kundër fëmijëve të mi, ku ende pa përfunduar gjyqet kundër tyre, ata janë konsideruar fajtorë të ngjarjeve shumë të rënda, madje kaq shpejt te rasti i Arbenit, sa as tri orë nuk kishin kaluar nga vrasja e shefit të policisë, kur drejtoria e Policisë Tiranë kishte deklaruar se kishte identifikuar autorin e vrasjes, duke nominuar emrin e djalit tim, Arben Frroku, si autorin e vrasjes së shefit të policisë, të ndjerit Dritan Lamaj. Që në vitin 2013, që djemtë e mi vendosën t’i futeshin politikës, gjërat për të gjithë ne familjarët e tyre kanë ndryshuar. A thua se ne ishim një tabelë qitjeje, si nga njëri krah, po ashtu edhe nga krahu tjetër i politikës, ku të gjitha këto palë, me qëllimin e vetëm të fitonin ndopak pikë në fushatën elektorale të vitit 2013, gjë e cila ka vazhduar për shumë kohë, deri edhe në ditët e sotme. Është e vërtetë që, për fatin e keq të tij dhe të familjes, më datë 24.02.2013, në Tiranë është vrarë një shef policie, i ndjeri Dritan Lamaj.
Ju z.Ambasador, në shkurt të 2013-ës, duke mos qenë në Shqipëri, nuk arrini ta imagjinoni se sa shumë është përfolur për djalin tim, që në orët e para pas ngjarjes, duke e deklaruar atë si autor të kësaj ngjarjeje të rëndë. Kjo si pasojë e një konflikti të mëparshëm që djali im, Arben Frroku, kishte pasur me viktimën Dritan Lamaj, konflikt të cilin djali im e kishte denoncuar dhe po e ndiqte në rrugë ligjore. Që natën e vrasjes së shefit të policisë, më datë 24.02.2014, pas afro tri orësh Arbeni është konsideruar autor i kësaj vrasjeje, pa pasur as edhe një provë të vetme. Jo vetëm atë natë, por as edhe pas dy vitesh, deri kur më datë 03.04.2015, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e deklaroi të pafajshëm, duke deklaruar se ai nuk kishte lidhje me atë vrasje të rëndë. I nderuar z.Ambasador! Jam shumë i sigurt që po të kishin qenë në Shqipëri në shkurt të vitit 2013 dhe në vazhdim, edhe ju si observator i jashtëm, po ashtu sikurse çdo shqiptar tjetër që ka dëgjuar për këtë çështje penale, nuk do të kishin bërë një deklarim të tillë kundër djalit tim, Arben Frroku, duke e konsideruar autorin e asaj vrasjeje të rëndë. Duke e konsideruar si një kriminel që i shmanget drejtësisë dhe lëviz i lirë. Madje, mund të them se po të kishit qenë në Shqipëri nga data e vrasjes e në vazhdim, ju garantoj se do ta kishit pasur të pamundur të mos përfshiheshit edhe ju në diskutime për këtë çështje në rrethet tuaja miqësore, pasi ato të gjitha të ashtuquajturat prova që mendonte të kishte prokuroria, ishin bërë publike dhe i dinin të gjithë, dhe si pasojë e kësaj, mendoj se do të kishit dalë në një konkluzion krejtësisht ndryshe nga ç’keni dalë më datë 17.11.2015. Madje, mendoj se do të kishit dalë me kritika shumë të ashpra kundër asaj trupe gjyqësore të Gjykatës së Apelit, që ka vendosur ta shpallë fajtor Arben Frrokun, duke e ftuar të gjithë trupën gjyqësore të japë vendime vetëm duke u bazuar në provat e dosjes dhe të pandikuara nga rrethana të tjera të jashtme. Sikurse janë deklarimet e politikëve, që bëhen për interesa politike, nga ku dhe vendimet e gjykatave nuk pasqyrojnë realitetin e dosjes, por janë rrjedhojë e një presioni të jashtëm mbi gjykatat që japin vendimin. Ju kujtoj, se në vendimin që ka marrë Gjykata e Apelit kundër Arbenit, jo të gjithë gjyqtarët e trupit gjykues e kanë konsideruar fajtor djalin tim. Në përbërje të kësaj trupe të Apelit kishte gjyqtarë që e kanë deklaruar të pafajshëm djalin tim dhe, si rrjedhojë, është dënuar jo me votë unanime nga kjo trupë gjyqësore.
Gjithashtu ju kujtoj, se vendimi në Gjykatën e Shkallës së Parë kishte dalë me votë unanime në favor të pafajësisë së djalit tim, duke deklaruar se nuk provohej të kishte qenë Arben Frroku, personi që kishte kryer vrasjen e shefit të policisë, Dritan Lamaj. Ky konkluzion i Gjykatës së Shkallës së Parë, ndryshe nga Gjykata e Apelit, rezulton se ka dalë pas shumë seancave gjyqësore, dhe në përfundim Gjykata e Shkallës së Parë ka marrë vendimin e pafajësisë për djalin tim, Arben Frroku. Në kushtet në të cilat është gjendur trupa gjyqësore, që ka gjykuar çështjen e djalit tim në Gjykatën e Apelit, nuk mund të dilte me vendim tjetër përveçse vendim dënimi kundër tij, kur çdo ditë para shpalljes së vendimit të Gjykatës së Apelit, nuk flitej tjetër gjë, përveçse do të kontrollohej dosja e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë, që e kishin nxjerrë të pafajshëm djalin tim, si dhe përfaqësues të politikës shqiptare bënin deklarata të papërgjegjshme, duke komentuar vendimin e gjykatës, se qeveria liroi vrasësin. Apo, edhe institucione të larta që kontrollojnë gjyqësorin, sikurse është KLD-ja, ku në deklaratat e tyre, kishin deklaruar se do të kontrollohej dosja penale e Arben Frrokut dhe gjyqtarët e Shkallës së Parë që kishin liruar Arbenin, dhe se atyre u rrezikohej vendi i punës.
I nderuar z.Ambasador, është e qartë për të gjithë, se vendimi i Gjykatës së Apelit kundër djalit tim Arbenit, de facto ka qenë marrë që para datës së shpalljes së tij në seancë gjyqësore, dhe për atë vendim që do të merrej gjyqtarët nuk kanë pasur as edhe një zgjidhje tjetër. Kjo pasi, duke u dënuar një person gjoja autori i një vepre penale, nuk i lihej vend që opozita të bërtiste, apo dhe qeveritarët në këtë mënyrë do të mund ta paraqisnin si arritje të tyre, se gjoja u vu në vend drejtësia, kur në të vërtetë shumë vetë, madje edhe prokurorë, janë të mendimit se Arbeni nuk ishte autor i kësaj vrasjeje dhe se vendimi që është marrë kundër tij është politik e nuk gjen asnjë mbështetje në provat e paraqitur para gjykatës. Akuza kundër djalit tim, Arben Frroku, është mbështetur vetëm te deklarimet e personit të mbrojtur, shtetasit Fatmir Vladi, me gjeneralitete të ndryshuara Arben Ndoka. Duke u mbështetur te deklarimet e këtij personi, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka dërguar në gjyq dosjen penale kundër Arben Frrokut.
I nderuar z.Ambasador! Më lejoni t’ju them, se ky dëshmitar i mbrojtur ka njohur që para ngjarjes, si djalin tim, po ashtu dhe shefin e policisë, ka ditur konfliktin e mëparshëm të tyre, dhe në funksion të shpërblimit që i ishte ofruar nga policia për informatorët, personi i mbrojtur ka sajuar në mendjen e tij, planin për të përfituar ato shuma monetare 100.000 euro, duke deklaruar para policisë, se ai kishte parë autorin e vrasjes dhe se ishte Arben Frroku. Nga sa më sipër, është e qartë se ky person, është paguar si informator i organeve të policisë dhe pas një viti kur çështja ka shkuar në gjyq, po ky informator është thirrur për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur, gjë e cila bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, pasi personi informator, si pasojë e interesit të tij, është e qartë se do të deklarojë të njëjtën gjë, edhe si dëshmitar, dhe për këtë arsye, kurrsesi një person që shpërblehet si informator nga shteti, nuk mund të jetë edhe dëshmitar i mbrojtur në po atë proces penal. Nga sa më sipër, procedurat e ndjekura nga shteti shqiptar me këtë dëshmitar të mbrojtur, janë haptazi në kundërshtim me ligjet e këtij vendi. Mendoj se janë hapur në kundërshtim edhe me ligjet e vendit tënd, të cilit neve aspirojmë t’i ngjasojmë, dhe për këtë fakt, asnjë institucion shqiptar, as edhe ndërkombëtar, as që e kanë marrë mundimin për t’iu përgjigjur ankesave të bëra nga djali im dhe familja ime nëpërmjet avokatit të tij.
I nderuar z.Ambasador! Do t’ju lutesha shumë juve dhe kujtdo tjetër ekspert të fushës: më gjeni një provë tjetër të vetme që të implikojë djalin tim të vetëm, përveçse dëshmisë së personit të mbrojtur, i cili në momentet e para, pas ngjarjes, është paguar si informator i policisë. Në çdo moment është kërkuar nga djali, im Arben Frroku, po ashtu edhe nga ne, familja e tij, që të bëhen hetime sa më të plota dhe të gjithanshme, hetime sa më objektive, madje kemi kërkuar dhe hetime nga ekspertë të huaj, me qëllimin e vetëm që të dalë e vërteta. Vendimi i Gjykatës së Apelit, gjithsej dhjetë faqe, kur për më shumë se gjysma e këtij vendimi janë pjesët hyrëse të tij, nuk ka asnjë analiza të provave kundër Arbenit, por përmban shprehje dhe thënie të cilat nuk rezultojnë të jenë parashtruar fare në seanca gjyqësore të zhvilluara në Gjykatën e Apelit, kur, sikurse u tha më sipër, jo të gjithë gjyqtarët e Apelit kanë qenë të mendimit se djali im, Arben Frroku, duhej të shpallej fajtor për atë vrasje.
Ju, ndërkombëtarët, jeni të parët që na mësoni të lëmë drejtësinë që të flasë, dhe, meqenëse çështja është në Gjykatën e Lartë, në pritje për t’i ardhur radha për t’u marrë për shqyrtim, mendoj se te rasti i djalit tim Arben Frroku duhej të ishit informuar më mirë, pasi mendoj se do të kishit qenë më objektiv nëse do t’u kishit hequr ndonjë kritikë atyre prokurorëve, të cilët me punën e shtetit bëjnë sipas qejfit të tyre, e deri tani nuk ka ndodhur që nga ndërkombëtarët të kritikohen, edhe pse të vetëdijshëm që prokurorët në shumë raste veprojnë sikurse të kishin karrigen e tyre private, dhe jo të jenë në punën e shtetit, ku dhe kanë detyrimin të zbatojnë ligjin. Pa folur pastaj, kur marrin urdhra në favor apo në disfavor të personave. Jeni të lutur që, brenda mundësive dhe kapaciteteve që ju dispononi, të jepni ndihmën tuaj, për një vlerësim të drejtë dhe korrekt për çështjen në fjalë. Me shpresën se e drejta dhe e vërteta do të dalin! Ju falënderoj për kohën e çmuar që i kushtuar letrës sime. Ju uroj shëndet dhe mbarëvajtje në punën Tuaj!
Tiranë, më 18.11.2015
Me respekt, Leze e Preng Frroku
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)