TIRANE- Komisioni hetimor për të verifikuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kompanisë çeke, CEZ, thirri të martën në seancë dëgjimore ish-ministrin e Energjitikës, në qeverisjen e djathtë, Genc Ruli, i cili deklaroi se procesi i privatizimit ishte transparent dhe se qeveria është asistuar edhe nga ekspertë të Bankës Botërore. Por, ish-ministri Ruli deklaroi se legjislacioni shqiptar ishte i pamjaftueshëm.

“Ka një kontradiktë midis dëshmisë së znj, Egla dhe në kohën e privatizimit nga Banka Botërore. Në lidhje me problemin për luhatjen neto të aseteve duhet një studim i mirë ekonomik dhe kontabël që e pasqyron. Ndikojnë disa faktorë, rritja e borxhit ndaj të tretëve, raporti mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Në 2008 me modelin e ri të tregut pati çmime më të larta. Një pjesë e energjisë për të furnizuar popullatën, ka ndikuar pra importi, tek vlera neto e kompanisë. Vlera neto e KESH është ajo e bilancit mbyllës të 2007. OSSH e dinte që ka një lëvizje të vlerës për shkak të ekspozimit për çmime importi më të larta. Dhe ka paraqitur propozim për të ruajtur një vlerë neto konstante. Në ministri duhet të jenë të gjitha këto drafte”, tha Ruli.

Kryetari i Komisionit Hetimor, deputeti socialist Taulant Balla ngriti shqetësimin për mospraninë e ish-kryeministrit Berisha në mbledhjen e sotme. Sipas tij, komisioni sërish do t’i nisë shkresë atij. Ndërkaq deputeti Balla u ndal tek shifrat konkrete të viteve 2007 dhe 2008.

“Ju thatë se deklaratat e zv.ministrit nuk kanë efekt. Zoti Gajo nuk e ka thënë këtë në një gazetë, por në mbledhje qeverie, 12 ditë para mbylljes së afatit. Për herë të parë në verifikimin bilanci i vitit 2008 është miratuar nga asambleja e aksionarëve në 2010. Duke referuar të dhënave mund të pohojmë se 2008 krahasuar me 2007 ka qenë dukshëm më pozitiv. Por çfarë ju ka shtyrë ju të bëni këtë pohim sikur 2008 ka qenë më dobët”, tha Balla.

Komisioni parlamentar që heton zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes(OSSH) kompanisë CEZ nga qeveria paraardhëse, është konstituar në fund të muajit prill dhe kryetar është deputeti socialist, Taulant Balla. Objekti i hetimit, sipas tij, është hetimi i procesit të privatizimit të OSSH-së, ku ai thotë se konstatohen parregullsi të shumta ligjore dhe favorizim i kompanisë CEZ, jo vetëm gjatë privatizimit, por edhe në periudha të mëvonshme.

Çështja CEZ po hetohet paralelisht nga dy komisione parlamentare, të kërkuara nga PS dhe PD. Ndërsa objekti i komisionit të kërkuar nga PS është hetimi i privatizimit të CEZ-t në vitin 2009 nga qeverisja e PD-së (sot në opozitë), komisioni i kërkuar nga Partia Demokratike do të hetojë mbi zgjidhjen me mirëkuptim të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke në vitin 2014, nga ku PD pretendon se shtetit i është shkaktuar një dëm prej 600 milionë eurosh.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: