Është një nga perimet më interesante. Ngjyra e purpurt e ndezur të bën të mendosh se po flasim për një frut pasioni. Por, pasi të keni lexuar për të gjithë të mirat dhe vlerat e tij, me siguri që do t’ju lindë dhe pasioni dhe për këtë super perime.

Panxhari i kuq është një nga perimet më të mira shqiptare dhe kultivohet gjerësisht në tokat më pjellore të vendit. Vërtet është i vogël, por bën një punë shumë të madhe në trajtimin e anemisë, tretjes, konstipacionit, problemeve me veshkat, lëkurën dhe sëmundjet e zemrës.

Por prisni, nuk kemi mbaruar. Panxhari gjithashtu ju ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, parandalon formimin e perdeve të syrit dhe problemet e frymëmarrjes.

Të gjitha këto i adresohen përbërjes së pasur të panxharit me vitamina dhe minerale. Lexoni më poshtë listën mbi vlerat e tij ushqyese e shëndetësore.

Vlerat e panxharit

Panxhari i kuq ka shumë vlera shëndetësore, duke qenë se është i pasur me vitamina, minerale dhe përbërës organikë si karotenoidi, vitamina C, magnezi, hekuri, bakri dhe fosfori, duke qenë në të njëtën kohë dhe një burim i shkëlqyer me flavanoide. Ata kanë shumë pak kalori, nuk përmbajnë kolesterol, por kanë dhe përmbajtjen më të lartë të sheqerit nga të gjitha perimet.

I mirë për zemrën. Fibrat që ndodhen tek panxhari i kuq ndihmojnë për të ulur nivelin e triglicerideve dhe kolesterolit, duke ngritur nivelin e kolesterolit të mirë. Trigliceridet në nivel të lartë rrisin shumë mundësinë për të pasur një atak kardiak, ndërkohë që konsumi i panxharit e ul këtë nivel, falë përbërësve të tij.

Redukton defektet në lindje. Panxhari është një produkt i shkëlqyer për gratë shtatzëna, duke qenë se është një burim i mirë për vitaminë B folat, që ndihmon në zhvillimin e shtyllës kurrizore tek bebet. Mungesa e folatit sjell një sërë defektesh tek të porsalindurit.

Parandalon zhvillimin e qelizave të dëmshme. Studimet kanë treguar se panxhari është i mirë në parandalimin e qelizave të dëmshme të lëkurës, mushkërive dhe sistemit tretës, duke qenë se përmban pigmentin betacianinë, i cili pengon zhvillimin e tyre.

Parandalon perdet e syve. Prezenca e beta-karotenit, që është një formë e vitaminës A, ndihmon në parandalimin e kataraktit, ose perdes së syrit, dhe problemeve të tjera të dobësimit të shikimit, që vijnë si pasojë e moshës. Vitamina A konsiderohet një antioksidant shumë i fuqishëm që përfshihet në shumë aktivitete të rëndësishme të trupit të njeriut.

Afrodiziak. Vërtet thamë që ngjan me një frut pasioni, por e vërteta është që panxhari mund të jetë një afrodiziak i vërtetë. Panxhari rrit dëshirën dhe fertilitetin duke bërë që të jeni të shëndetshëm dhe me shumë energji.

Kujdes! Panxhari përmban një element të njohur si oksalat. Konsumimi me tepricë i panxharit kristalizon lëngjet e trupit. Njerëzit që kanë probleme me veshkat ose me fshikëzën e urinës, nuk duhet të konsumojnë panxhar, sepse mund të përkeqësojnë gjendjen e gurëve në veshka.

Përdorimi në lashtësi. Në lashtësi panxhari përdorej për të kuruar temperaturën dhe konstipacionin. Në Mesjetë, ai përdorej për të shëruar problemet e tretjes, ndërkohë që gjethet e panxharit përdoreshin për të shëruar plagët./AgroWeb.org

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: