Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

PROFIL/ Kush është 33-vjeçari që u ekzekutua mbrëmë në Vlorë dhe krimi i 17 viteve më parë

vrasja ne vlore 3

VLORË- Vlora është tronditur mbrëmë nga një krim i katërfishtë, me një viktimë dhe 3 të plagosur në zonën e Ujit të Ftohtë në një lokal nate. Ergys Gjioveshaj mbeti i vrarë nga 6 plumba, ndërsa ndodhej në shoqërinë e Arta Lukajt, e cila mbeti e plagosur. Po kush është 33-vjeçari Gjioveshaj dhe cila është lidhja me vrasjen e 17 viteve më parë?

Ergys Gjioveshaj akuzohet për një vrasje të ndodhur në vitin 2000 në Vlorë, për të cilën u arrestua në vitin 2011 në Austri, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Vlorës.

Ai akuzohej se bashkë me Florian Meçen kishin vrarë Laert Alushin. Gjykata e kishte dënuar Gjioveshajn me 12 vite burg, ndërsa Meçen me 22 vite. Por Gjioveshaj ishte liruar pak kohë më parë nga burgu.
Policia dyshon se vrasja e tij është bërë për hakmarrje, pikërisht për krimin e kryer në bashkëpunim me Florian Meçen.

VRASJA E LAERT ALUSHIT
Pasditen e 20 nëntorit të vitit 2000 në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, përballë shkollës “Qemal Ataturk”, Gjioveshaj, atëherë 16 vjeç u përfshi në një konflikt me Muharrem A dhe Laert Alushajn.

Rreth orës 17:00, kanë qenë të ndaluar në krah të njeri-tjetrit, me të njëjtin drejtim, automjeti tip ‘Saurrel’, i drejtuar nga Muharrem A. dhe një autoveturë tip “Benz Mercedes” e drejtuar nga viktima Laert Alushi. Gjatë kohës që drejtuesit e të dy automjeteve kanë qenë duke biseduar njeri me tjetrin, mbrapa tyre kanë ardhur të gjykuarit, Ergys Gjioveshaj dhe Florian Meçe të cilët duke parë se rruga ishte e zënë, kanë kaluar në krahun e kundërt dhe gjatë parakalimit i janë drejtuar me fjalë fyese dëshmitarit Muharrem A.

Rreth 45 minuta më pas, viktima Laert, në qytetin e Vlorës, është takuar me të gjykuarin Florian Meçe duke kërkuar prej tij sqarime lidhur me fyerjen e bërë. Në kushtet kur ata nuk janë marrë vesh dhe duke fyer njeri-tjetrin reciprokisht ata janë ndarë. Në ndarje sipër, i gjykuari i është drejtuar viktimës me fjalët “…së bashku do ta zgjidhim ndryshe”.

Rreth orës 19:00, pas kësaj ngjarje, në rrugën “10 Korriku”, afër pishinave, automjeti i drejtuar nga viktima Laert Alushi, në të cilin ndodhej dhe dëshmitari Spartak H., është përballur me automjetin e ndaluar, tip “Benz Mercedes”, në të cilin ndodheshin dy të gjykuarit, Gjioveshaj dhe Meçe.

Florian Meçe, nga automjeti i tij, i ka bërë shenje viktimës që të ndalojë. Mbas ndalimit të automjetit dhe në kohën që viktima doli prej saj, Floriani, duke qenë dhe ky, në këtë çast jashtë automjetit, i është drejtuar atij duke i thënë “që kur ke ardhur nga Gjermania je bërë gangster i madh”.

Mbas këtyre fjalëve, në momentin që Floriani dhe viktima janë kapur me njeri-tjetrin, Ergysi ka shkuar në automjetin e Florianit nga ku ka marrë një armë luftarake, automatik. Duke qenë jashtë automjetit, me armën në dorë, të drejtuar nga viktima, ai i është drejtuar shokut të tij, Florian, duke i thënë “Lëre Lani, lëre, hapu”.

Floriani, pas thirrjes së shokut të tij, duke e larguar viktimën nga vetja e ka shtyrë atë me forcë në drejtim të armës, që i gjykuari Ergus mbante në gjendje sulmi. Veprimet e tij ky i gjykuari i ka shoqëruar me fjalët “na bjeri“.

Duke qenë në këto kushte, me armën që kishte në dore, Ergys Gjioveshaj ka qëlluar me breshëri në drejtim të viktimës, duke e dëmtuar atë fillimisht në këmbë dhe më pas në trup.

Pas kryerjes së këtyre veprimeve, të dy të gjykuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë aty armën me të cilën është kryer vrasja.

Viktimës i është dhënë ndihmë e menjëhershme mjekësore por jeta e tij nuk është mundur të shpëtohet. Ky ka qenë parashtrimi i ngjarjes nga ana e Prokurorisë në atë kohë.

NGJARJA E 20 PRILLIT

ergys-gjeoveshaj-1
Sipas të dhënave nga policia, mbrëmë, rreth orës 23:20 kanë qenë dy persona të pa maskuar, të cilët janë futur në ambientet e një lokali nate me muzikë, që ndodhej poshtë një pallati në zonën e “Ujit të Ftohtë” dhe kanë qëlluar në drejtim të tavolinës ku ndodhej 33-vjeçari Gjioveshaj.

Ky i fundit mbeti i vrarë në vend, ndërsa tre të tjerë, duke përfshirë edhe shoqëruesen e tij mbetën të plagosur. Të tre të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Deri në këto momente janë shoqëruar 3 persona me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Janë ngritur pika kontrolli, si dhe forca të shumta policore po krehin zonën përreth vendngjarjes për kapjen e autorit.

(m.k/BalkanWeb)


Komente ( 7 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.