MAQEDONI-Me masa të rrepta sigurie në Gjykatën Supreme, Prokuroria i ka dhënë fjalët përfundimtare për rastin “Kumanova-Lagjja e Trimave”, njofton Portalb.mk.

Prokurori, Naum Panovski, ka theksuar se kërkon “dënime më të larta për të akuzuarit për terrorizëm”, që do të nënkuptonte dënim me burg të përjetshëm.

Ai sqaroi se kush nga grupi çfarë detyre kanë pasur në Kumanovë më 10 dhe 11 maj të vitit 2015, duke theksuar se një pjesë e të akuzuarve kanë qenë ndihmë logjistike, gjegjësisht për vendosjen e grupit, për dërgimin e ushqimit dhe për gjithçka tjetër që kanë pasur nevojë.

Sipas tij, një pjesë e të akuzuarve, janë kujdesur që të sigurojnë kalim ilegal nëpër kufirin me Kosovën, derisa një grup e ka siguruar pjesën më të madhe të armatimit nga Stacioni Policor Goshincë.

Banorët lokal të akuzuar në këtë rast, ngarkohen për pranim vullnetar të grupit dhe të vendosjes në shtëpitë e tyre.

Edhe pse pritej që fjalë përfundimtare të japë pala mbrojtëse, megjithatë ajo do të ndodhë në seancën e radhës, pasi që pala mbrojtëse e kërkoi që ta kontrolloje procesverbalin e fjalëve përfundimtare.

Në rastin “Kumanova–Lagjja e Trimave” akuzohen 37 persona, për veprën “terrorizëm”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, në të cilën një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Përveç tyre, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb