UET-Press boton librin e Roger Scruton, filozofit më të famshëm anglez, që vjen nga katedrat universitare, dhe përfaqësuesi më i shquar i Filozofisë Analitike

Promovimi i librit të filozofit më të famshëm anglez, Roger Scruton, “Filozofia moderne; nga Aristoteli te Filozofia Analitike” hapi siparin e vendimit të Universitetit Europian të Tiranës për të hapur një katedër të Filozofisë Analitike dhe futjen e këtij libri si tekst të detyrueshëm për të gjitha fushat e studimit.

Libri, botim i UET-Press, trajton 31 tema të ndryshme sipas këndit të filozofisë analitike me parathënie të posaçme nga autori dhe hyrje introduktive nga avokat Spartak Ngjela, që është një ithtar i filozofisë anglo-sanksone. Scruton ishte në Tiranë vitin që shkoi i ftuar nga UET, ku u nderua dhe me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Administratori i UET-it, Henri Çili, njoftoi hapjen e seksionit të filozofisë analitike.

“Ne kemi një problem në Shqipëri, të paktën të diversietit dhe pluralitetit të shkollave. Ka dominuar kryesisht shkolla filozofike kontinentale, dhe ne kemi patur qasje me kthesë të gjerë të filozofisë analitike, por asnjëherë ajo nuk është strukturuar në kuadrin e një katedre ose të një seksioni, në kuadrin e një teksti bazë dhe sidomos në kuadrin e një disipline universitare e cila të paktën të legjitimiohet krahas filozofisë kontinentale. Momenti erdhi, ky libër “Filozofia moderne” e filozofit Scruton, grupi i filozofëve në UET dhe vendimi ynë administrativ për të përqendruar departamentin e ri të shkencave humane, seksionin e filozofisë analitike, mendoj që është një ngjarje e rëndësishme akademike, ose e natyrës së gurëve kilometrikë në ecjen e ngadaltë të jetës universitare shqiptare”- tha Çili.

Ai falenderoi Ngjelën “për kontibutin e tij në inicimin dhe futjen drejt kësaj rruge, dhe për një lloj frymëzimi sokratik që na ka dhënë gjatë këtyre viteve në lidhje me universitetit, filozofinë, metodën, apo gjërave të tjera të kësaj natyre” dhe e konsideroi librin “një lloj triumfi konceptual i një lufte të vjetër që Ngjela ka bërë për filozofinë anglo-saksone, mendimin kritik dhe filozofinë analitike”.

Avokat Ngjela, i cili është takuar me autorin dhe ka bërë prezantimin hyrës të tekstit për studentët, e konsideroi si një ditë të shënuar për universitetin botimin e këtij libri dhe futjen e tij si tekst bazë “Jemi ende një shoqëri e pa lagur nga racionalizmi. Shkollat shqiptare janë joracionale, jo irracionale sepse kjo do të ishte gjysma e së keqes, por jo racionale sepse janë narrative. Mungon gjykimi konceptual në të gjitha tekstet që janë shkruar nga shqiptarët. Duke u nis nga kjo, ky libër filozofik që po ju jepet në dorë, mund të sjellë këtë risi. E para, që e shikon filozifinë moderne nga një optikë e caktuar, që është filozofia analitike. Nuk rrëzon asnjë lloj filozofie, por nuk pranon dhe bën ndarjen e saktë mes të vërtetës dhe ngushëllimit. Të gjithë filozofinë klasike e konsideron ngushëllim dhe jo një përpjekje për të vërtetën”- tha ai.

Sipas Ngjelës tre janë kolonat në të cilat mbahet kjo lloj filozofie dhe ky libër; “Është abstraksioni, e fundmja dhe interesi për të vërtetën, jashtë këtyre nuk mund të ketë dot filozofi”.

Krijimin e seksionit të posaçëm të filozofisë në UET, pedagogu i filozofisë Klementin Mile, e cilësoi një sfidë për shkak të traditës së filozofisë kontinentale të shkollave shqiptare dhe europiane në përgjithësi. “nisma është një sfidë sepse një europian ose shqiptar në këtë rast trajnohet më së shumti në traditën kontinentale të filozofisë, është të përshtaten me një lloj tjetër të menduari dhe të komunikuari të filozofisë”.

Një grup pedagogësh që kanë studiuar të paktën në një prej tre cikleve të studimit, Bachelor, Master apo Doktoraturë, për filozofi, i janë bashkangjitur kësaj nisme për ta kthyer filozofinë analitike në një bazë studimore për studentët e UET-it duke nisur që nga ky vit i ri akademik.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: