TIRANE– Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka sqaruar vendimin e Qeverisë të datës 14 për pezullimin e përkohshëm të procedurave të kalimit në pronësi të tokave në zonat me rëndësi. Në një deklaratë për mediat, ministrja Gjonaj tha se ky vendim nuk ka si qëllim të bllokojë pronarët e ligjshëm, por vetëm abuzuesit.

“Ky proces i nisur në vitin 1991 me ligjin 7501, rezultoi në shumë raste me abuzime nga funksionare shtetërore, vetëm e vetëm me qëllime përfitimi. Ata kanë ndarë dhe përvetësuar si toka kooperative e bujqësore, territore që kanë qenë toka bregdetare. Janë darë ligatinat, moçalet, dhe tokat e ultësirën. Është vepruar mbi prona që kanë qenë jetë e mot toka shtetërore. Ndaj vendimi i qeverisë për pezullimin e përkohshëm të procedurave të kalimit në pronësi të tokave në zonat me rëndësi, do të vijojë deri në verifikimin e tyre. Dhe ky vendim nuk ka si qëllim të bllokojë pronarët e ligjshëm, por vetëm abuzuesit”, tha ministrja e Drejtësisë.

Gjonaj tha se Task Forca e ngritur nga qeveria, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, do të hedhë dritë mbi abuzimet e bëra dhe do të ndihmojë në ndëshkimin e abuzuesve të çdo niveli.
gjonaj
DEKLARATA E PLOTE
Jam sot këtu përpara Jush, bashkë me kolegë drejtues të agjencive të pronës, për të informuar opinionin publik lidhur me vendimin e qeverisë të datës 14 mars për pezullimin e regjistrimit të titujve të pronësisë në bregdet dhe mbi reformën e pronës në tërësi.

Dëshiroj, në radhë të parë, të siguroj të gjithë pronarët e ligjshëm të tokave në bregdet për pacënueshmërinë e të drejtave të tyre të pronësisë dhe të adresoj shqetësimet e tyre lidhur me këtë vendimmarrje.

Ky vendim i Qeverisë synon që të bllokojë të gjithë ata që kanë abuzuar me pronat dhe i kanë tjetërsuar ato në mënyrë të paligjshme, por në asnjë mënyrë nuk prek të drejtat e ligjshme të pronarëve.

Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për pezullimin e përkohshëm të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve, të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike” ka ardhur si pasojë e një situate të jashtëzakonshme abuzimesh në bregdet, me procesin e ndarjes dhe regjistrimit të tokës në fshat, ose siç quhet ndryshe, me pajisjen me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Ponësi).

Ky proces, i nisur që në vitin 1991 me ligjin 7501, që kishte si qëllim të vetin ndarjen e tokës së ish-kooperativave bujqësore, anëtarëve të familjeve bujqësore, rezultoi në shumë raste në abuzime nga funksionarë shtetërorë, komisione fshatrash, kryetarë komunash, etj., me qëllime përfitimi.

Këta, në abuzim të pastër me pushtetin që kanë patur, kanë ndarë dhe përvetësuar si toka të kooperativave bujqësore, toka dhe zona bregdetare që kurrë nuk kanë qenë prona të kooperativave, troje që kurrë nuk kanë qënë toka bujqësore, përfshirë brezin pyjor dhe ranor përgjatë bregdetit.

Janë ndarë duke i konsideruar si toka bujqësore zona e rërës së plazheve, është ndarë zona e brezit pyjor të bregdetit, janë ndarë kënetat, ligatinat e moçalet e Ultësirës, janë ndërruar zërat kadastralë duke kthyer tokat e pafrutshme në toka bujqësore, është vepruar mbi prona që kanë qenë jetë e mot prona shtetërore, poligone apo reparte ushtarake, apo monumente kulture me VKM.

Për pasojë, Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon pezullimin e lëshimit dhe regjistrimit të AMTP-ve në hipotekë, deri në verifikimin e titujve të lëshuar.

Ky vendim, në asnjë mënyrë nuk ka si qëllim të bllokojë pronarët e ligjshëm, por vetëm grabitësit e tokës dhe abuzuesit e ligjit.

Rëra dhe plazhet, që janë kthyer si tokë bujqësore, në shkelje të ligjit, nuk mund të regjistrohen dhe të legjitimohen në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Duke lejuar regjistrimin, nuk do të bënim gjë tjetër, veçse do të bëheshim bashkëpunëtorë të një krimi që është përpara syve të të gjithëve dhe do t’i lejonim këtij zinxhiri kriminal realizimin e qëllimit të tij:

Tjetërsimin e pasurive të pronarëve të ligjshëm dhe të Shtetit.

Skemat kriminale të zbuluara së fundmi, gjatë vijës bregdetare të Lezhës dhe Kavajës janë shembulli më i qartë i modelit të ndjekur nga abuzuesit dhe diktojnë urgjencën për të vepruar.

Ky vendim synon pikërisht të pastrojë rrugën e Shtetit dhe pronarëve të ligjshëm nga abuzimet dhe korrupsioni.

Dëshiroj të theksoj, për qartësinë e të gjithë qytetarëve që na ndjekin, se kjo VKM nuk pengon kthimin e pronës pronarëve, sikurse po përdoret në mënyrë të shëmtuar këto ditë nga opozita.

Përkundrazi, synon të garantojë që prona t’i kthehet pronarit dhe jo shkelësve të ligjit dhe mafies së pronave.

Janë të pafundme rastet kur pronarët e ligjshëm, kanë mbetur pa pronë, pasi toka e tyre është zaptuar nga njerëz të lidhur me pushtetin.

Vendimi i qeverisë për skanimin e pronave në vijën bregdetare, është një vendim në mbrojtje të interesit publik dhe të interesave të pronarëve të ligjshëm, kundër akteve të shumta kriminale ndaj pronës shtetërore dhe private.

Pezullimi është veç një masë e përkohshme që do t’u lejojë institucioneve të Shtetit të verifikojnë në mënyrë prioritare titujt e lëshuar përgjatë bregdetit dhe të ndajnë një herë e mirë pronarët e ligjshëm nga hajdutët e pronave.

Por, nuk do të ndalemi këtu!

Jemi të vendosur për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë dhënë apo përfituar tituj të paligjshëm.

Task Forca e ngritur nga qeveria, në bashkëpunim me policinë e shtetit dhe prokurorinë, do të hedhë dritë mbi abuzimet e bëra dhe do të ndihmojë në ndëshkimin e abuzuesve të çdo niveli.

Dhënia e sipërfaqeve në bregdet, përmes akteve të marrjeve në përdorim të tokës bujqesore, është në tërësinë e vet veprimtari e korruptueshme e dënueshme nga ligji.

Tashmë, kemi filluar nga puna për reformën e pronës, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Reforma e pronës do të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse, me qëllimin për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pronës dhe për t’i dhënë rrugë zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit.

Kaosi i pronave, që është shkaktuar në 25 vjet, do të mbetet në historinë e shtetit modern shqiptar si pengesa më e madhe në procesin e ngritjes së ekonomisë së qëndrueshme.

Në mandatin aktual, qeveria synon që përmes reformës së tokës dhe reformës së pronës t’i japë fund këtij kapitulli të stërzgjatur.

Vendimmarrjet e mësipërme të Qeverisë, duhen parë pikërisht në kuadër të këtyre reformave të rëndësishme, të domosdoshme dhe të mirëpritura nga i gjithë opinioni i shëndoshë i vendit.

Jemi te ndërgjegjshëm, se reforma e pronës është një proces i vështirë dhe i pazgjidhur për më shumë se një çerekshekulli.

Jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm se do të hasim gjatë rrugës pengesa dhe akuza nga ata që këto probleme na i lanë trashëgimi dhe që ngritën lloj lloj pengesash ndaj Reformës në Drejtësi.

Por, siç i shkuam deri në fund reformës në drejtësi, jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund reformës së pronës, që prona të shkojë te i zoti, qoftë ky Shtet apo privat, dhe jo te Abuzuesit e tokave.

Shpresojmë në mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj.

Faleminderit!

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb