TIRANE- Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, ka përcjellë një tjetër propozim për të zgjidhur ngërçin politik në vend. Përpara se eurodeputeti David McAllister, politikani gjerman nga radhët e CDU-së, të vijë në Tiranë për të zgjidhur krizën në vend, ai thotë se duhet të jenë vetë partitë politike shqiptare ato që do ta zgjidhin këtë situatë.

Gjatë një takimi të organizuar në Akademinë e Arteve me Forumin e Gruas të PDIU, Idrizi ka propozuar që ditën e hënë të mblidhen forumet e grave të PS, LSI, PD dhe PDIU që të zgjidhin krizën.
“Ky është propozimi i fundit i PDIU”, tha Idrizi.

Ai është ndalur edhe tek propozimi i bërë me herët nga PDIU për një pakt kombëtar për zgjidhjen e krizës, si dhe apeli drejtuar Presidentit Nishani për një tryezë me të gjitha partitë politike.
“Kemi propozuar pakt Kombëtar për krizën, iu drejtuam presidentit për një tryezë. Është vullneti politik që po na mban në kriza të paarsyeshme. Unë sot e kam një propozim. Para se të presim që dikush të na vijë nga jashtë të na zgjidhë krizën. U propozoj forcave politike që përpara se të na vijnë nga jashtë.

Ne propozojmë që ditën e hënë të mblidhen forumet e grave që të zgjidhin krizën. Të jenë gratë ato që do të zgjidhin krizën, politikanët kanë dështuar. E kam vlerësuar përkrahjen e gruas në PDIU. Ne u renditëm force e dytë politike në Tropojë e Delvinë, ku kryetaret e PDIU ishin gra. Sa herë gratë dhe vajzat kanë qenë në detyra publike ajo detyrë është realizuar më së miri. Nuk mbaj mend të ketë pasur akuza për korrupsion për ministre gra, apo sjellje të deputeteve në parlament si ajo që kanë burrat”, tha kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb