Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me tregtarët në “Tregun Çam”. Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe deputetja Mesila Doda, bashkëbiseduan me tregtarët dhe dëgjuan propozimet e tyre për uljen e taksave.

Idrizi u shpreh se duhet të ulet taksa e tatim-fitimit, nga 15% në 10%. Sipas tij, edhe TVSH-ja duhet të ulet për disa produkte.

“Ne jemi për taksa të ulëta. Prandaj PDIU ka propozuar që tatim-fitimi nga 15% që është sot, të bëhet 10%. Gjithashtu ne propozojmë që të bëhet TVSH-ja me shkallë, që do të thotë, të jetë më e ulët për mallra të domosdoshëm, siç janë ushqimet. Ne kemi një shtet që dihet që nuk është funksional dhe që nuk i përdor në drejtimin e duhur shpenzimet buxhetore. Akoma ekonomia shqiptare nuk është e strukturuar, nuk është e qëndrueshme. Për këtë arsye, është më mirë që taksat të jenë të ulëta dhe të ardhurat të jenë në duart e biznesit e të qytetarëve. Kjo, sepse qytetarët do t’i përdorin shumë më mirë këto të ardhura shtesë, duke investuar në biznes, që do të sjellë edhe rritjen e numërit të të punësuarve”, – u shpreh kryetari i PDIU-së.

Idrizi theksoi se në këto tregje qytetarët punojnë çdo ditë, për të siguruar të ardhmen e tyre, por shteti duhet të ndryshojë përqasjen ndaj biznesit.

“’Tregu Çam’, një treg që për ne është krenari dhe kënaqësi, është vendi më i mirë për të kuptuar gjithë problematikën dhe deformimin e sistemit fiskal. Janë njerëz që punojnë çdo ditë, jo vetëm për të mbajtur veten e tyre, por edhe për të punësuar të tjerë. Këta tregtarë i kanë zgjidhur hallet e tyre jashtë vëmendjes së shtetit shqiptar. Ne duhet të ndryshojmë totalisht përqasjen tonë ndaj biznesit dhe sidomos ndaj biznesit të vogël. Pushteti e shikon akoma biznesin si një subjekt që duhet t’i marrë paratë, duke ndryshuar tërësisht konceptin e taksës”,- theksoi z.Idrizi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: