TIRANE- Brenda pak orësh, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thirrur në një takim aleatët në selinë blu. Propozimi i bërë nga zyrtari i DASH, Hoyt Yee një ditë më parë është diskutuar sërish në këtë takim të aleatëve opozitare, dhe pritet të ketë një vendim për ecurinë e negociatave.

Krerëve të opozitës dhe mazhorancës i është lënë afat deri sot në orën 16:00 për të pranuar ose jo paketën “McAllister”.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se pritet një përgjigje deri në mbrëmje, për paketën McAllister.

Sakaq, gazetarja Marsela Karapanço thotë se gjatë mbledhjes së dytë të Bashës me aleatët është diskutuar edhe për identifikimin biometrik të votuesve dhe për numërimin elektronik.

Numërimi dhe votimi elektronik sipas opozitës, janë të mundshme brenda një kohe të shkurtër, duke konsideruar kështu shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Ashtu siç veproi edhe më herët pas takimit të parë me aleatët, edhe pas kësaj mbledhje të dytë për ditën e sotme, Basha i është drejtuar zyrës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në përfundim të këtij takimi të dytë me ish-kryeministrin Berisha, burime nga PD thotë se “palët po shkojnë drejt arritjes së marrëveshjes”.

Të njëjtat burime sqarojnë për “BalkanWeb” se “në diskutim është paketa McAllister dhe e Ramës”.

Në limitet e afatit të lënë nga zyrtari i lartë amerikan, pas takimeve të djeshme në Tiranë dhe paketën McAllister që u rivu në tavolinën e negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, pritet vendimi i Bashës për të rinisur ose jo negociatat me kryeministrin.

Zyrtari amerikan deklaroi pas takimeve me Ramën e më pas me Bashën se “Ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, z. Fleckenstein dhe z. McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”.

Oferta në tavolinë tashmë vlen për Bashën, po ashtu edhe për Ramën, i cili në negociatat e fundit me kryedemokratin në prani të Nishanit, ofroi shumë më pak se paketa McAllister, duke akuzuar PD se nuk e fitoi shansin në kohën e duhur.

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Basha kanë zhvilluar dy takime kokë më kokë në prani të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, por nuk kanë mundur të arrijnë në një marrëveshje.

ÇFARË PARASHIKON PAKETA MCALLISTER
1. Procesi zgjedhor të shtyhet për në datën 16 korrik.
2. Zëvendësimi i katër ministrave kyç të qeverisë, me persona teknikë të propozuar nga Kryeministri dhe të aprovuar nga opozita.
3. Paketë për zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
4. Kalimi i kreut të KQZ­së tek opozita, por shumicën në institucion do të vazhdojë ta mbajë maxhoranca.
5. Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE-­së, pjesëmarrje të OJQ­ve në të gjithë këtë proces.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: