TIRANE- Ministria e Brendshme ka reaguar në lidhje me protestën që zhvilloi sot opozita, ndërsa nuk nguroi që të falënderonte dhe qytetarët për mbështetjen ndaj forcave policore.

Me anë të një njoftimi drejtuar mediave, MPB theksoi se Policia menaxhoi me shumë profesionalizëm dhe korrektesë të gjithë lëvizjen në akset rrugore dhe parkimin në Tiranë të rreth 60 autobusëve, 80 mikrobusëve/fugonave dhe rreth 700 autoveturave të ardhura për tubimin e organizuar nga PD dhe partitë e saj aleate nga të 12 qarqet e Shqipërisë.

DEKLARATA
Ditën e sotme, 13 maj 2017, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, organizuan një protestë të paralajmëruar në kryeqytet, e cila u zhvillua në normalitet dhe pa asnjë incident, në përputhje me ligjin nr.8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”.

Në përfundim të protestës, Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të falënderojë përzemërsisht të gjithë qytetarët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë për mirëkuptimin, durimin e dëshmuar dhe mbështetjen e dhënë ndaj forcave të Policisë së Shtetit, pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur gjatë bllokimit të disa akseve rrugore.

Një falënderim i veçantë u drejtohet të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar ditën e sotme, të cilët me shumë sakrificë edhe me orë të tejzgjatura gatishmërie e shërbimi, realizuan me përgjegjësi, përkushtim dhe profesionalizëm detyrat e tyre në respekt të Kushtetutës dhe ligjit.

Policia e Shtetit u angazhua maksimalisht në marrjen e masave për garantimin e zhvillimit normal të protestës që u mbajt në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke garantuar jo vetëm të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por edhe sigurinë kombëtare, sigurinë publike dhe veprimtarinë normale të institucioneve.
Policia menaxhoi me shumë profesionalizëm dhe korrektesë të gjithë lëvizjen në akset rrugore dhe parkimin në Tiranë të rreth 60 autobusëve, 80 mikrobusëve/fugonave dhe rreth 700 autoveturave të ardhura për tubimin e organizuar nga PD dhe partitë e saj aleate nga të 12 qarqet e Shqipërisë, përfshirë këtu edhe nga njësitë administrative të Tiranës.

Ministria e Punëve të Brendshme gjen rastin të falënderojë dhe vlerësojë mediat që transmetuan me transparencë dhe profesionalizëm masat e marra dhe angazhimin e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në menaxhimin e këtij tubimi.
Në të njëjtën kohe, Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson gjithashtu edhe bashkëpunimin e realizuar me institucionet e tjera ligjzbatuese në vend, para dhe gjatë protestës. Ne vlerësojmë pozitivisht asistencën dhe mbështetjen e ofruar nga ana e misioneve të asistencës ndërkombëtare, misioneve PAMECA V, ICITAP etj. në hartimin e realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit. Dëshirojmë të vlerësojmë edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për menaxhimin e këtij procesi nga partnerët tanë dhe veçanërisht Ambasadën e SHBA-së, Delegacionin e BE-së dhe Prezencën e OSBE-së në Tiranë.

Ministria e Punëve të Brendshme shpreh bindjen se edhe në të ardhmen Policia e Shtetit do të sigurojë zhvillimin e çdo tubimi paqësor duke garantuar në çdo rast sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb