TIRANË- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka dalë edhe njëherë sot para qytetarëve për t’iu bërë thirrje t’i bashkohen opozitës në protestën e nesërme që nis në orën 12 në kryeqytet.

Me në sfond dhjetëra të rinj demokratë para selisë së PD-së, Basha tha se protesta do të jetë madhështore por paqësore. Gjithsesi ai i bëri thirrje policisë të mos bjerë pre e manipulimit politik dhe të mos provokojë sepse do të përballet me pasojat.

Basha tha se protesta është për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

FJALA E KREUT TË PD-SË, LULZIM BASHA
Fillimi i protestës është përcaktuar nga PD-ja në 12:00, qytetarët janë ata që do përcaktojnë përfundimin e protestës me fitore. Dua të falënderoj mijëra qytetarë që më kanë dërguar mesazhe, në pamundësi për t’iu përgjigjur të gjithëve dua t’iu shpreh një falënderim nga zemra për mbështetjen, për konfirmimin e bashkimit të madh popullor që do të ndodhë nesër.
Jam shumë i inkurajuar nga këto dhjetëra mijëra mesazhe që konfirmojnë se rruga e vetme për të garantuar të drejtat e liritë themelore janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Protestë madhështore, një shfaqej demokratike dhe paqësore, do t’i tregojmë çdo shqiptari dhe botës mbarë se shqiptarët kanë të njëjtat vlera qytetare, kanë të njëjtin përkushtim ndaj të ardhmes së tyre, ndaj ngrihen e bashkohen deri sa të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme.
Policia i ka marrë mesazhet. Të mos bjerë pre e asnjë manipulimi politik. Të mos provokojë se do të përballet me pasojat. E nesërmja një festë gjigande demokracie. Së bashku do të marrim nesër një vendim të madh për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ftoj çdo shqiptar, ejani nesër bashkohuni! Të gjithë së bashku do të hapim një derë për Shqipërinë tonë dhe të çdo shqiptari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: