TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur Komitetin Drejtues Kombëtar për të vendosur për hapat e mëtejshëm të kësaj force për çështje të nxehta të aktualitetit politik.

LSI diskuton sot për organizimin e protestës së opozitës së ditës së hënë. Gazetarja Elda Menga duke iu referuar burimeve nga LSI tha për “BalkanWeb” se deputetët e LSI do të shkojnë edhe në seancë plenare, gjë që e konfirmoi dhe kryetarja e LSI.

Në fjalën e saj, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi akuzoi kryeministrin Rama se kërkon të kapë institucionet e drejtësisë, pasi sipas saj ndihet në “frikë dhe ankth” për çështjen “Tahiri”.

“Pa rolin e LSI ne sot nuk do të kishim një reformë në drejtësi të miratuar me konsensus, dhe as një reformë që do sillte besim të shqiptarët, sot, mazhoranca që drejtohet nga Rama për muaj me radhë e ka bllokuar këtë reformë. Ndaj jemi në kufijtë të anormalitetit, pasi ky kryeministër kërkon të kapë çdo institucion të drejtësisë. Kjo për shkak se ndodhet përballë një fakti të jashtëzakonshëm, siç është çështja “Tahiri”. Frika dhe ankthi që ky kryeministër e ka nga çështja “Tahiri” e çon drejt uzurpimit të institucioneve të drejtësisë. Kërkon të emërojë një Prokuror të Përgjithshëm në kundërshtim me ligjin. Për LSI çështja e kryeprokurorit nuk është çështje emrash, për ne nuk ka rëndësi për emrat e kandidatëve, por ka rëndësi që sistemi të jetë i pavarur”, tha Kryemadhi.

Kryetaraj e LSI kërkoi që të respektohet Kushtetuta për kryeprokurorin, ndërsa ftoi deputetët e LSI dhe qytetarët që t’i bashkohen protestës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb