Presidenti Donald Trump po përballet me kritika të shumta nga i gjithë spektri i politikës amerikane, ngaqë nuk dënoi supremacistët e bardhë, të cilët ishin organizatorët e mitingut “Të bashkojmë të djathtën” në Sharlotsville të Virxhinias. Ky miting përfundoi me dhunë vdekjeprurëse.

Trump, i cili zakonisht komenton menjëherë pas sulmeve terroriste, e cilësoi dhunën si shprehje skandaloze të urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës nga të gjitha palët. Përmes Twitterit, ai shprehu ngushëllimet e tij për tre personat që humbën jetën dhe u uroi shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.

Por Presidenti Trump nuk dënoi grupet ekstremiste që organizuan protestën e së shtunës, shumë prej tyre përkrahës politik të tij, të cilët shprehen përbuzje të hapur ndaj pakicave racore, hebrejve dhe grave, me gjeste dhe me thirrje.

David Duke, dikur udhëheqës i grupit racist Ku Klux Klan, tha se mitingu rreth 160 kilometra larg Uashingtonit ishte “një pikë kthese” për një lëvizje, për përmbushjen e premtimeve Donald Trump.”

Të dielën, Shtëpia e Bardhë u përpoq të sqaronte përse Presidenti Trump nuk e kishte dënuar grupin e nacionalistëve të bardhë me emër, duke thënë se ai dënon çdo formë dhune, fanatizimi dhe urrejtjeje dhe se natyrisht kjo përfshin edhe supremacistët e bardhë, grupin racist Ku Klux Klan dhe të gjitha grupet ekstremiste.

Ish-Presidenti Barack Obama dhe rivalja demokrate e zotit Trump, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, e dënuan urrejtjen në thelbin e lëvizjes së supremacistëve të bardhë. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe një numër i madh ligjvënësish republikanë, që zakonisht e mbështesin Trump. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb