TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati reagoi sot ndaj qëndrimit të opozitës dhe akuzave “për shpërblimet sipas preferencave dhe interesave elektorale”.

Në deklaratën për mediat deputeti Bushati tha se “filozofia e shpërblimeve që dha Qeveria dhe Kryeministri është e thjeshtë dhe e ndershme: shpërblejmë ata që janë më në nevojë dhe pamundësi dhe promovojmë ata që janë më të suksesshmit në arsim, shëndetësi, polici etj”.

“Është i pabesueshëm niveli i mohimit të opozitës shqiptare për çdo gjë të mirë që bën qeveria, tha deputeti i pozitës duke shtuar se “sigurisht; pas tetë vitesh qeverisje të papërgjegjshme të Partisë Demokratike që e zhyti vendin në papunësi, varfëri e borxhe, shpërblimi i fundvitit do i vinte për mbarë çdo familje shqiptare”, tha Bushati duke reaguar ndaj deklaratave të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku.

Ai shtoi se “jo çdo dëshirë është e mundur”. “Ndaj në kushtet që na lanë pas tetë vjetësh PD e Saliut, qeveria e re po bën më të mirën e mundshme. Ende ka shumë për të bërë; pasi lista e dështimeve të partisë demokratike pas tetë vjet qeverisje ishte tejet e gjatë”, përfundoi deklaratën për mediat deputeti Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb