PS mbështet unanimisht Ilir Metën për President. Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i ka dhënë fund pikëpyetjeve për emrin e Presidentit të ri që do mbështesë kjo forcë.

Ai tha se PS nga dy kandidaturat Petrit Vasili dhe Ilir Meta ka zgjedhur kreun e Kuvendit si emrin që do të votohet nesër në raundin e katërt për President.

BALLA

Sipas Ballës, ka pasur negociata dhe diskutime me aleatët. “Jeni në dijeni dhe me qëndrimin e PS-së pas raundit të tretë. Menjëherë u zhvillua dhe konferenca e kryetarëve dhe pas saj u përcaktua që nesër në orën 17:00 do të zhvillohet edhe raundi i katërt. Në vijim të një procesi shumë konstruktiv janë zhvilluar shumë negociata dhe më pas një përfaqësi e PS i kryesor nga kreu i PS u takua me aleatët dhe u njohën me propozimin e ardhur nga LSI që na njohën me 2 propozime shumë të mira. Me propozimin e ardhur nga LSI për zotin Petrit Vasili dhe zotin Ilir Meta. Kryesia e PS pasi u njoh me propozimet vendosi në mënyrë unanime nga dy kandidaturat, të mbështesë zotin Ilir Meta. Nesër do mblidhet edhe grupi parlamentar për t’u njohur me propozimin”, deklaroi Balla.

Nesër në orën 17:00 është vendosur edhe raundi i katër për zgjedhjen e Presidentit, për të cilin kërkohen 71 vota që PS dhe LSI i kanë.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb