Nga Tedi Blushi

Xhelal Mziu ka një aftësi të pazakontë! Ai i le të gjithë gojëhapur dhe me duar në kokë sa herë shfaqet në publik me xheste dhe vendime të ububu-shme që një fije e hollë i ndan mes naivitetit fëminor, padijes e injorancës. Ky është Xhelali, “i forti” i Kamzës që i tërheq njerëzit “zvarrë” drejt komedisë dhe gallatës që është në gjendje të shkaktojë. Dhe është i ndërgjegjshëm për këtë. Ndaj dhe ka pranuar me vetëdije të plotë të luajë rolin e bufonit ndërkohë që përballë tij të gjithë mbajnë rradhë e nisen me hyxhym për t’i qëlluar me tortë në fytyrë. Të bindur se Xhelali nuk do mërzitet por do argëtohet po aq shumë sa ta.

Kështu ndodhi edhe tani që Xhelali zbuloi “budallëkun” e rradhës: Shpalljen e Trumpit qytetar nderi i Kamzës! Askënd nuk zhgënjeu sharlatanzimi i tij. Edhe vetë Xhelali qeshi me Xhelalin.
Por një mendje e ftohtë na fton të shkojmë përtej butaforisë. Në pamundësi për të konkurruar në politikë me ide e vizione, Xhelali është gjithmonë në garë brenda saj, i kuotuar dhe i votuar për punën me humor që prodhon.
Kjo nuk e bën aspak të dëmshëm por atraktiv. Atë dhe Kamzën bashkë. Të paktën reklamohet me “idiotësi” dhe jo me krime. Ndryshe nga të “fortët” e “të mençurit” e Kuvendit, bashkive, qeverisë, opozitës e gjyqësorit që bota s’i qas te prangu, por që Xhelalit i hap derën. Me këtë logjikë edhe Kamza me Trumpin qytetar nderi e Xhelalin si qershinë mbi tortë zunë sot faqe shtypi edhe në botë. Reklamë që të “mençurit” e “të fortët” e politikës paguajnë për ta bërë. Por Xhelali jo. Sepse vërtet është “i fortë” por i pakonkurrueshëm për nivelin kriminal, hajdutërinë dhe poshtërsinë me shumë syresh në politikë. Ata janë më lart se Xhelali. Ai nuk u vjen as tek thembra. Qoftë edhe për korrupsion ku ka ngelur në klasë: Gëzohet me një “shuk” parash. Miliona euro që vjedhin të tjerët janë shifra që ai nuk di t’i lexojë. As t’i kuptojë. Edhe pse është gati të hidhet si miu në miell po qe se rasti do i nxirrte “thesin” para. Ndaj mos iu turrni Xhelalit. Ai nuk e dëmton reputacionin tonë. As politikën tonë. Përkundrazi vetëm sa e plotëson atë. Sa kohë të tjerët na bëjnë të qajmë dhe Xhelali të qeshim, pse i bini “kot” në qafë?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb