VLORE- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në paraburgimin e Vlorës, ku ka shpërthyer zjarri. Mësohet se kanë qënë disa të paraburgosur ata që i kanë vënë flakën dyshekëve, në shenjë hakmarrje, për mbylljen në izolim të shokëve të tyre që më herët ishin përfshirë në një sherr mes tyre.

Sipas drejtorisë së burgjeve, pas një konflikti fizik midis disa personave me rekorde të theksuara kriminale kanë ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme forcat e policisë se burgut. “Është bërë izolimi i personave të përfshirë në konflikt. Pas kësaj shokët e qelive të personave të futur në izolim në shenjë proteste i kanë vënë flakën dyshekëve të dhomave përkatëse duke sjellë pështjellim të situatës”, bën të ditur Drejtoria e Burgjeve.

Pas zjarrit, menjëherë është bërë njoftimi i forcave zjarrfikëse, Forcave Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si dhe i forcave të Policisë së Qarkut Vlorë. Gjithashtu është njoftuar dhe prokuroria Vlorë.

“Si pasojë e kësaj ngjarjeje është dërguar në spital pas asfiksisë nga tymi një efektiv i policisë së Burgjeve.

“Pas largimit të zjarrfikëseve situate në IEVP Vlorë është totalisht e normalizuar”, sqarohet më tej.

Sipas tyre, “në çdo moment është në ndjekje jo vetëm ne situatën e krijuar në IEVP Vlorë por dhe në çdo IEVP tjetër në Republikën e Shqipërisë, në përmbushje të detyrave funksionale dhe në zbatim të planit të plotë të sigurisë”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb