TIRANE- Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në një prononcim për mediat deklaroi se procesi për kandidaturat që do të plotësojnë vendet vakante të lëna në Hipoteka do të rihapet për shkak se nga faza e parë e konkursit nuk janë gjetur profesionistët e duhur.
“Ministria e Drejtësisë para më shumë se 15 ditësh ka bërë shpalljen e vendeve vaktante të zyrave të Hipotekës në gjithë Shqipërinë. Na ka rezultuar që ka pasur kandidatura të dobëta. 25 përqind e tyre nuk kanë plotësuar kërkesat formale ligjore. Nuk arrijmë dot të kemi profesionistët më të mirë të vendit që t’i sjellim në funksionim normal këto zyra që janë gangrena e situatës së krijuar me pronat”,- tha ajo.
Nisur nga situata e krijuar, ku nuk u gjetën profesionistët e kërkuar, ministrja e Drejtësisë, Gjonaj rishpalli vendet vakante për drejtorë në 35 zyrat rajonale të Hipotekës.
“Iu bëj thirrje profesionale të gjithë atyre njerëzve që duan të kontribuojnë, të gjithë profesionistëve të zotë, të konkurrojnë që t’i jepet fund problemit me pronat”,- tha ajo.
Reformimi në Hipoteka dhe burgje erdhi pas deklaratave të forta të kryeministrit Edi Rama për llumin e krijuar nga LSI-ja sipas tij, ku siç tha ishin punësuar këngëtarë e infermierë.
(m.a/BalkanWeb)