Nga KLODIANA HAXHIAJ*

DURRES -Një punonjës i OSHEE-së në Durrës është plagosur me armë zjarri në ambientet e brendshme të ALUIZNI-t të këtij qyteti. Ngjarja e rëndë ku u dhunua 40-vjeçari Flamur (Fabian) Gashi (nip i ish-deputetit të PS-së, Hazir Gashi), ndodhi mesditën e djeshme, në qendër të qytetit bregdetar. Përplasja me armë ka shkaktuar panik te qindra banorë që ndodheshin në atë moment në zyrat e ALUIZNI-t. Ndërkohë, policia ka shkuar shpejt në vendngjarje dhe pas kryerjes së hetimeve paraprake ka shpallur në kërkim 34-vjeçarin nga Shijaku, Enidor Dedej, i cili dyshohet të jetë autor i krimit. Nga ana tjetër, kjo ngjarje ka pasuar me përplasje të fortë mes institucioneve shtetërore dhe dëshmitarëve okularë. Kjo për faktin se fillimisht, Policia ka deklaruar se ka pasur një konflikt brenda zyrave të ALUIZNI-t, por pa persona të lënduar apo të plagosur. Më pas, blutë kanë pohuar se konflikti ka ndodhur në ambientet e jashtme, duke u munduar që të fshehin ngjarjen. Nga ana tjetër, drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi është shprehur se ngjarja “nuk ndodhi brenda ambienteve tona, por jashtë, dhe nuk ka lidhje me ALUIZNI-n”.

NGJARJA
Rreth orës 11:30, dy persona janë konfliktuar brenda zyrave të ALUIZNI-t në qendër të qytetit bregdetar. Bëhet fjalë për Flamur Gashin, banues në Shënavlash, dhe 34-vjeçarin Dedej. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dëshminë e dajës së 40-vjeçarit Gashi. “Flamuri ka qenë me kushëririn e parë sot (dje) tek ALUIZNI. Ishte te zyra e informacionit duke pyetur te sporteli për dosjen e legalizimeve, pasi ka disa vjet që e ka dorëzuar dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje. Dosja e shtëpisë është në emrin e të atit të tij, Muhamet Gashit, i cili vrau veten një vit më parë, në gjendje depresioni. Nipi ishte duke folur me punonjësen, kur nga pas i është afruar një person dhe e ka qëlluar me sa fuqi që kishte me qytë pistolete në mjekër. Më pas ata janë përleshur, ndërsa në zyra kishte shumë njerëz. Agresori ka qëlluar dhe me plumb, por plumbi nuk e ka kapur Flamurin”, është shprehur daja i Gashit. Ky i fundit është shprehur se “nipi im nuk konfliktohet kollaj. Është baba i tri vajzave dhe ka ca kohë që punon në OSHEE. Dyshojmë mos i ka prerë dritat ndokujt, apo të ketë ndonjë konflikt më herët, nuk jemi në dijeni. Nipi im ndodhet në spital, ku po merr ndihmë mjekësore”.

HETIMI
Për afro 2 orë, zyrat e ALUIZNI-t në Durrës u bllokuan nga inspektorët e krimeve të rënda. Burime nga Policia, pohuan se dy qytetarët kanë pasur konflikte të mëparshme. Sipas bluve, fillimisht pati përplasje fizike dhe më pas pati të shtëna me armë. Si pasojë e konfliktit dhe të shtënave me armë zjarri janë thyer xhamat e zyrës së pritjes së popullit, brenda ALUIZNI-t. Ndërsa, është sekuestruar një gëzhojë si provë materiale dhe po punohet për kapjen e autorit të dyshuar, Enidor Dedej.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: