TIRANË- Kreu i PD-së, Lulzim Basha pas mbledhjes me aleatët e tij ka nisur të mbajë fjalën në çadrën e protestës, ku deklaroi se nuk do lejojë zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi dhe droga, vendim i përbashkët, ky sipas Bashës.

Sa për mospranimin e kërkesës së Ramës e Metës nga KQZ-ja, për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve me 8 ditë, Basha kërcënoi se do ta çojë për ndjekje penale KQZ-në, nëse nuk e refuzon kërkesën e tyre.

“KQZ-ja me të vërtetë ka refuzuar regjistrimin e koalicioneve, por duhet ta hedhë atë poshtë sepse po nuk e hodhi poshtë jeni në kushtet e shpërdorimit të detyrës dhe do t’ju çojmë në ndjeke penale”,- tha ai.

Duke vazhduar të thumbojë Ramën e Metën, Basha u shpreh se ata po bëjnë manovra për të shpëtuar aleancën e tyre.

“Fasada ka rënë, fasada është çjerrë. Shqiptarët e shkatërruan fasadën e gënjeshtrës. E vërteta ka dalë në shesh. Nuk ka bojë që e lyen më të vërtetën e Shqipërisë së gjunjëzuar nga krimi e korrupsioni. Nuk ka më forcë ta kthejë mbrapsht këtë vullnet popullor që do të marrë në dorë fatet e tij”.

Basha shprehu edhe njëherë vendosmërinë në kërkesat e protestës së opozitës për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

“Nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve për Republikën e re. Ndaj jemi të vendosur në kërkesat tona. Hapi i parë është qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike. Hapi i dytë, është që mandati i kësaj qeverie që ka bëjë deri në fund me zbatimin e dekriminalizmit të bëjë largimin e të inkriminuarve. Po kështu synohet luftë e vendosur kundër kanabisit. Nuk e shihte drogën as ministri që iku, as ky ministri i Brendshëm që është sot. As ata të zhages. Kërkojmë votim elektronik dhe numërim elektronik.

Në 24 orët e fundit, pazari i peshkut, që është qelbur nga koka, ka filluar manovrat. Ata mendojnë se do e nxjerrin në breg Republikën e vjetër që ua ka marrë lumi. Pazari i peshkut mendon se tani që nuk po ia del dot kurajës dhe bashkimit qytetar, do të negociojë me ne një pazar politik, që do mbajë në këmbë republikën dhe do t’u shesë qytetarëve sapunin për djathë. Kjo ka dy platforma. Njëra hajde t’i bëjmë luftën kundër kanabisit, por edhe zgjedhje të lira e të ndershme, po hajde t’i bëjë Edi Rama ama. Por këtu drogën e kontrollon Rama dhe çeta e tij, ajo që e solli në pushtet. Ky që e mbushi Shqipërinë me drogë, tani do besimin tonë se mund të luftojë drogën dhe paratë e drogës. I zoti i zhagës thotë hajde, se do ta hedh zhagen në lumë.

Ne e bëmë dekriminalizimin, por ata u thonë ndërkombëtarëve e shqiptarëve se tani do ta zbatojnë këtë. E thotë ngaqë tani e ka lakun në fyt nga ky bashkim popullor. Sigurisht që ky nuk na garanton dot zgjedhje të lira e të ndershme, as të vetët nuk e besojmë. Rama nuk e ka e nuk do ta ketë kurrë besimin t’i plotësojë këto detyra.

Së bashku duhet t’i japim fund, e ta varrosim republikën e vjetër, pavarësisht se kush e ka fajin, dhe të hapim rrugën për një Shqipëri europiane, me një pakt ndërkombëtar për një Shqipëri europiane”, tha Basha.

Kryedemokrati ftoi qytetarët shqiptarë, pa dallim bindje politike, që t’i bashkohen protestës së të hënës. Basha tha se prej orës 11:00 deri në 12:00 parashikohet të bllokohen gjithë rrugët e vendit në shenjë proteste.

“Në funksion të arritjes së këtij qëllimi, opozita e bashkuar ka vendosur intensifikimin e protestës qytetare në të gjithë Shqipërinë. Ditën e hënë të gjithë qytetarët shqiptarë të bashkohen në orën 11:00-12:00 në bllokimin e trafikut në gjithë vendin. Ky është vendimi i opozitës së bashkuar, kjo është një orë e bashkimit kombëtar. Kurrë më nuk do të ketë tërheqje dhe kompromis, deri në themelet e republikës së re me zgjedhje të lira e të ndershme.

Oferta për dialog dhe zgjedhje të lira e të ndershme është padyshim e rëndësishme”, tha Basha.

(m.a/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb