MAQEDONI- Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, i cili është mandatuar nga presidenti Ivanov për formimin e qeverisë, ka bërë të ditur se deri në fund të javës ka shumë gjasa që të bëhet e ditur përbërja e kabinetit dhe se javën e ardhshme të zgjidhet qeveria e re.

“Jemi shumë afër marrëveshjes me BDI-në dhe me koalicionin Aleanca për shqiptarët. Pak më larg në këtë drejtim jemi me Lëvizjen Besa. Qëllimi ynë përfundimtar është deri në fund të kësaj jave, në Kuvendi të dërgohen përbërja e kabinetit dhe programi qeveritar. Nëse e plotësojmë këtë premtim, besoj se Maqedonia deri të mërkurën do të ketë qeveri të re reformatore”, deklaroi kreu i LSDM-së Zoran Zaev.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë deklaruar se kjo parti do të drejtoj kryesisht ministritë që ka pasur edhe në qeverinë me VMRO DPMNE-në.

Lideri i LR-PDSH-së Ziadin Sela deklaroi se partia e tij dhe Aleanca për Shqiptarët do ta votojnë kabinetin e ri qeveritar pa marr parasysh se a do të jetë pjesë e ekzekutivit ose jo.

Lëvizja Besa nuk ka vendosur. Anëtarët e saj janë në pritje të përgjigjes së LSDM-së dhe Zoran Zaevit për kushtet e tyre siç është integrimi i Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare në programin e qeverisë dhe kabinet qeveritar pa persona të inkriminuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: